E Martë, 3 Nëntor 2026

JEMEN – Houthis: Përgjigjja ndaj sulmeve të SHBA-së në Iran, vetëm çështje kohe

KAJRO, 22 qershor /ATSH-DPA/- Milicia pro-iraniane “Houthis” në Jemen dënoi sot sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane – duke i quajtur ato një “agresion brutal dhe frikacak”.

“Veprimet e SHBA-së ishin një shkelje e hapur e sovranitetit të Iranit dhe një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar”, tha Houthis në një deklaratë.

“Sulmi ishte pjesë e mbështetjes së pakufishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Izraelin”, sipas deklaratës.

Mbrëmjen e kaluar, Houthis paralajmëruan se nëse SHBA-ja ndërhynte në luftën midis Izraelit dhe Iranit – milicia pro-iraniane do të shënjestronte sërish anijet amerikane në Detin e Kuq.

“Sulmi përfaqëson fillimin, jo fundin, e një lufte”, tha një anëtar i lartë i byrosë politike të Houthis.

“Përgjigjja jemenase ndaj SHBA-së është vetëm çështje kohe”, tha një përfaqësues tjetër.

“Nëse SHBA-ja do të ndalonte ndërhyrjen, Houthis gjithashtu nuk do të nisë sulme kundër saj”, shtoi ai.

Gjithashtu, ai theksoi se iranianët nuk u kishin kërkuar Houthis të ndërhynin, por e kishin marrë vetë vendimin.

Në fillim të majit, milicia Houthis deklaroi gatishmërinë e saj për një armëpushim me SHBA-në.

Ajo tha se do të ndalonte sulmet ndaj anijeve amerikane nëse Uashingtoni do të ndalonte sulmet ndaj objektivave të Houthis.

Që nga shpërthimi i luftës në Gazë në tetor 2023, Houthis ka sulmuar vazhdimisht anijet në Detin e Kuq. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›