E Diel, 1 Nëntor 2026

Modeli gjerman, sherri mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve

Sistemi zgjedhor gjerman ka kundërvënë partitë e vogla me të mëdhatë në Kuvend. Drejtuesit e 10 prej partive parlamentare kanë hartuar një draft paraprak, duke u bazuar te modeli gjerman, por i përshtatur me realitetin shqiptar. Ndërkohë, socialistët janë shprehur përmes bashkëkryetarit të komisionit për reformën zgjedhore, Kastriot Islami, se mbështesin më shumë modelin spanjoll.

Drafti

Ky draft parashikon që Kuvendi të ketë 140 vende, por të jetë me tavan të hapur. Kërkohet një balancë 50/50% e "mandateve mazhoritare" dhe "mandateve proporcionale". Parashikohet që konkurrimi në zonat një emërore mazhoritare të bëhet midis kandidatëve me votim mazhoritar me një raund. Ndërsa konkurrimi proporcional bëhet mbi bazë listash të kandidatëve të partive politike në nivel kombëtar. Zgjedhësit kanë vetëm një votë dhe vota mazhoritare për kandidaten është e unifikuar me votën proporcionale për partinë që përfaqëson ky kandidat. Sa i takon pragut elektoral, të vegjlit, mbështetur te modeli gjerman, mendojnë se ai nuk duhet të lëvizë përtej 2.5%. Përllogaritja e mandateve bëhet në nivel kombëtar për partitë që kalojnë pragun elektoral prej 2.5%, ku secilës prej tyre i caktohet një numër mandatesh, në mënyrë që të ketë një përputhje të plotë të përqindjes së mandateve në Kuvend me përqindjen e korrektuar të votave në shkallë vendi për çdo parti. Në rast se një parti ka fituar më shumë mandate mazhoritare se ato që i takojnë nga vota proporcionale, atëherë për këtë parti bëhet "balancimi" korrespondues midis mandateve mazhoritare dhe përqindjes së votës proporcionale, gjë që çon në "shpërthim" të tavanit të mandateve në Kuvend për legjislaturën përkatëse, duke përcaktuar një numër më të madh se 140 të vendeve në Kuvend. Numri i përgjithshëm i mandateve për secilën nga partitë e tjera përcaktohet nga përqindja e korrektuar përkatëse dhe numri i ri i rritur i vendeve në Kuvend. Secila prej këtyre partive fiton aq mandate nga lista proporcionale sa është diferenca e numrit të përgjithshëm të mandateve që i takojnë asaj me mandatet mazhoritare që ajo ka fituar.

Opsionet

Sistemi zgjedhor i modelit spanjoll është një proporcional rajonal me lista të mbyllura. Një tjetër opsion i propozuar për diskutim nga ekspertët e OSBE-së dhe Komisionit të Venecias është ai bullgar. Ky nënkupton një sistem proporcional kombëtar me lista të mbyllura, por shpërndarja e deputetëve bëhet nga një skemë rajonale. Tjetër model është ai i sistemit zgjedhor grek, proporcional i përfaqësuar, rajonal. Ky sistem përbëhet nga tre nivele që janë rreth, qark dhe kombëtar. Ky sistem parashikon pragje të ndryshme në çdo rast. Varianti shtesë është sistemi jonë miks mazhoritar me proporcional, por i përmirësuar. Ai parashikon ose bashkimin e votës në një fletë të vetme, si për kandidatin, ashtu dhe për partinë, ose që numri i deputetëve të jetë fleksibël, pra jo domosdoshmërish 140 të tillë. D.Malaj

Drafti

Drejtuesit e 10 partive parlamentare kanë hartuar një draft paraprak, duke u bazuar te modeli gjerman i përshtatur me realitetin politik shqiptar. Kësaj marrëveshjeje i është shkëputur LSI dhe deri diku edhe republikanët

Modelet

OSBE dhe Komisioni i Venecias i kanë propozuar komisionit për reformën zgjedhore disa modele për sistemin. Të vegjlit zgjodhën modelin gjerman, duke përjashtuar gjithashtu mundësinë e rritjes së pragut. Ky element duket i panegociueshëm për të vegjlit, që janë të gatshëm të pranojnë në rastin më të parë çdo lloj sistemi zgjedhor, që ju siguron një prag në masën 2.5%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›