E Diel, 1 Nëntor 2026

Karabina: Vizita e Topit në Irak, mesazh për ftesën në NATO

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, e komentoi vizitën e Presidentit Bamir Topi në Kontingjentin e 10-të të forcave komando që shërbejnë në Mosul të Irakut, në kuadër të misionit paqeruajtës "Liria e Irakut". Sipas Karabinës, kjo vizitë e Presidentit Topi shërben për të dhënë mesazhin e madh që në këtë fundviti shqiptarët janë të gjithë bashkë në një qëllim dhe objektiv të madh, atë të anëtarësimit në NATO dhe zhvillimit në rajon. Karabina e vlerësoi pozitivisht faktin që kreu i shtetit shkon në Irak dhe viziton trupat shqiptare atje, natyrisht në situatën e tanishme, kur kemi dy ngjarje madhore përpara, presim 20 prillin 2008 në Bukuresht që të marrim ftesën, njëkohësisht kemi dhe ngjarjet e fundvitit, festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri. "Ky është për mua një mesazh i madh jo vetëm për trupat që janë atje, jo vetëm për Forcat e Armatosura, por ky është një mesazh për të gjithë shqiptarët që në momente të tilla ne jemi të gjithë bashkë, të gjithë bashkë për një qëllim të përbashkët dhe këtë mesazh Presidenti i Republikës e ka dhënë me vizitën e tij në Irak", tha zv/ministri i Mbrojtjes. Ai përmendi në këtë kontekst dhe vizitat e shumë kryetarë shtetesh, të cilat në prag të fundvitit shkojnë dhe bëjnë vizita në vendet më delikate, si Presidenti i Francës, Sarkozy, në Afganistan, po kështu dhe Kryeministri italian, përsëri në Afganistan. Sipas Karabinës, kemi një lëvizje të kryetarëve të shteteve për të inkurajuar dhe mbështetur këtë nismë të madhe që bëhet për ruajtjen e paqes. Numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes ka bërë me dije gjithashtu dhe realizimin e një lidhjeje telefonike me video kamera. "Ne u përpoqëm të lidhnim familjet e ushtarëve tanë që kemi në Irak me fëmijët e tyre që ndodhen këtu në Shqipëri, dhe fjalët e Presidentit, fjalët e ministrit Mediu dhe shefit të shtabit në komunikim me familjarët, nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët. Ishte një gjest human, natyral, sepse marrëdhëniet e tilla midis kryetarëve të shtetit dhe vetë familjeve që kanë dërguar njerëzit e tyre në Irak bëhen të afërta", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›