Pragu zgjedhor, shifrat që nxisin debatin
Pragu kushtetues për futjen e partive në Kuvend është kthyer në objektin kryesor të debatit në kuadër të reformës zgjedhore. Kryetarët e partive të vogla insistojnë të mos rritet kjo normë përtej masës aktuale prej 2.5%. Sakaq duket se këto subjekte politike do ta kishin shumë të vështirë të kalonin këtë pengesë në përballjen e zgjedhësit. Të mësuar me votat "fiktive", të vegjlit e shohin si të panegociueshëm këtë element të reformës. Ndonëse bazuar në rezultatet zyrtare të proceseve të fundit zgjedhore rezulton se votat në proporcional nga zgjedhjet lokale në ato parlamentare ndryshojnë ndjeshëm.
Shifrat
Bazuar në rezultatin zyrtar të zgjedhjeve, publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste në zgjedhjet e vitit 2003 ka marrë në proporcional 33.19% të votave. Në tabelën e rezultateve për parlamentaret e vitit 2005, socialistët janë vetëm të tretët në listë, pas socialdemokratëve dhe republikanëve. Kjo parti rezulton të jetë rikthyer në pozicionin e saj në zgjedhjet lokale të vitit 2007 me 23.17% të votave. Partia Demokratike në zgjedhjet e vitit 2003 ka marrë 31.91% të votave, ndërsa në procesin e vitit 2005 u rendit vetëm e pesta me 7.67%. Në vitin 2007 ajo u rreshtua në vendin e dytë me 20.60% të votave. Lëvizja Socialiste për Integrim në përballjen e saj të parë zgjedhore në 2005 mori mbështetjen e 8.40% të zgjedhësve, ndërsa në vitin 2007 në masën 9.19%. Partia Republikane u rendit në vitin 2003 si partia e katërt në vend me 3.54%. Në zgjedhjet parlamentare në dy viteve më vonë mbështetja e saj figuron në masën 19.96%, ndryshe në vend të parë. Procesi i zgjedhjeve për pushtetin lokal në vitin 2007 e renditi PR-në në vendin e katërt me 5.74%. Partia Demokrate reformatore në vitin 2005 pati përballjen e parë dhe mori 7.42% të votave, ndërsa në vitin 2007 grumbulloi 5.05%. Partia Demokristiane mori në zgjedhjet e fundit parlamentare 3.26% të votave dhe në lokalet e vitit 2007 fitoi 4.44%. Socialdemokratët e Skënder Gjinushit morën në zgjedhjet e vitit 2003 vendin e tretë me 5.53%, në procesin e vitit 2005 dolën të dytët me 12.72% dhe në vitin 2007 morën vendin e shtatë me 3.96%. Bashkimi për të Drejtat e Njeriut para katër vitesh mori 3.02%, në vitin 2005 arriti në 4.13% dhe në zgjedhjet e fundit lokale 3.77%. Partia Agrare Ambientaliste e Lufter Xhuvelit ka lëvizur nga 3.50% (2003) në 6.56% (2005) dhe 3.72% (2007). Aleanca Demokratike në dy proceset e fundit zgjedhore kishte përkatësisht 4.76% dhe 3.62%. Demokracia Sociale e Paskal Milos në tre procese rezulton me mbështetje respektive 3.02%, 4.25%, 2.99%.
Analiza
Nga studimi i të dhënave rezulton se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, si forcat kryesore në vend, në momente të caktuara kanë fryrë partitë e tjera me elektoratin e tyre. Lëvizjet e konsiderueshme të përqindjeve nga njëra palë zgjedhjesh në tjetrën tregojnë për paqëndrueshmëri dhe fiktivitet numrash. Duket e pakuptueshme që një subjekt politik, që del i pari në zgjedhje, pas dy vitesh të përfundojë i katërti me shumë diferencë. Ashtu sikurse një tjetër parti po në kaq kohë spostohet me pesë vende. Përjashtim këtu bën Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila rezultatet i ka në progresion rritës, duke konsoliduar vendin e tretë në tabelë. Në një rast rritjeje të pragut kushtetues duket se rrezikojnë përfshirjen në Parlament edhe republikanët nga e djathta.
Zgjedhjet e vitit 2007
(lokale)
Partia Socialiste 23.17%
Partia Demokratike 20.60%
Lëvizja Socialiste për Integrim 9.19%
Partia Republikane 5.74%
Partia Demokrate Reformatore 5.05%
Partia Demokristiane 4.44%
Partia Socialdemokrate 3.96%
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 3.77%
Partia Agrare Ambientaliste 3.72%
Partia Aleanca Demokratike 3.62%
Partia Demokracia Sociale 2.99%
Zgjedhjet e vitit 2005
(parlamentare)
Partia Republikane 19.96%
Partia Socialdemokrate 12.72%
Partia Socialiste 8.89%
Lëvizja Socialiste për Integrim 8.40%
Partia Demokratike 7.67%
Partia Demokrate Reformatore 7.42%
Partia Agrare Ambientaliste 6.56%
Partia Aleanca Demokratike 4.76%
Partia Demokracia Sociale 4.25%
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 4.13%
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar 3.51%
Partia Demokristiane 3.26%
Zgjedhjet e vitit 2003
(lokale)
Partia Socialiste 33.19%
Partia Demokratike 31.19%
Partia Socialdemokrate 5.53%
Partia Republikane 3.54%
Partia Agrare Ambientaliste 3.50%
Partia Demokracia Sociale 3.06%
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 3.02%
Propozimi
LSI, promotorja e rritjes së pragut
Lëvizja Socialiste për Integrim ishte partia e parë që kërkoi nisjen e punës për reformën zgjedhore. Menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit 2007 për pushtetin lokal, kjo parti filloi të ushtrojë presion në këtë drejtim. Kryesia e LSI-së hartoi një draft propozimesh me të cilat jepej qëndrimi i tyre për reformën zgjedhore. Për sa i takon sistemit zgjedhor, Lëvizja Socialiste për Integrim propozoi vendosjen e sistemit proporcional, duke e lënë të diskutueshme në do ishte rajonal apo kombëtar. Sa i takon çështjes së pragut zgjedhor, u propozua rritja e tij deri në masën 4%. Pjesë e paketës ishte edhe ulja e numrit të vendeve në Parlament nga 140 në 120 të tillë. Drafti përmbante edhe propozime të tjera për numërimin e votës, përbërjen e komisionerëve dhe sanksionimin e të drejtës së votës për emigrantët.