E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Meta të kthehet në shtëpi. Koçi: Rithemelim të majtës

Nuk mund ta lëmë Shqipërinë peng të Sali Berishës, vetëm për një karrige kryeministrore. Ky ishte konstatimi i djeshëm i deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Sipas tij, e majta po punon për një politikë të re të bashkimit të të gjithë shqiptarëve përtej kufijve tradicionalë të Partisë Socialiste. Sakaq, në të majtë vazhdon të mbizotërojë e njëjta situatë problematike me debate me replika reciproke.

Balla

"Përtej kufijve të opozitës së sotme, duke qenë të bindur se përtej interesave partiake, përtej të majtës dhe të djathtës, është Shqipëria e halleve dhe problemeve", theksoi Balla. Sipas tij, ky realitet është Shqipëria e njerëzve të thjeshtë me shumë nevoja e mungesa, por dhe me shumë dëshira dhe ëndrra. "Është Shqipëria e njerëzve të thjeshtë, të lodhur, të rraskapitur dhe sigurisht të zhgënjyer nga politika e vjetër e kioskave partiake", vijoi Balla. Duke e konsideruar Ilir Metën si një mik dhe një aleat të vjetër, ai pranoi se "e sheh me shumë keqardhje rikthimin në batakun e vjetër të politikës së zhgënjimit", duke dëshiruar me gjithë zemër që Meta dhe Lëvizja Socialiste për Integrim të rikthehen në shtëpinë e përbashkët. "Të cilën e kemi hapur për çdo shqiptar që do të shkruajë me ne historinë e re të këtij vendi", u shpreh Balla.

Koçi

Deputeti tjetër, Petro Koçi, vlerësoi se "tani që PS është mbërthyer nga autoritarizmi provincial dhe lidershipin e saj e përcakton jo më socialisti i thjeshtë, por oligarkia, ka ardhur momenti që e majta shqiptare të ribëhet, të rithemelohet". Sipas tij, e majta kërkon drejtues mirëfilli të majtë. "Të djathtët në drejtimin e së majtës përbëjnë problemin themelor politik dhe organizativ te spektri aktual i opozitës. Orientimi kundër autoritarizmit dhe përvijimi i një politike në favor të shtresave të gjëra përbëjnë drejtime kryesore të ribërjes së të majtës në Shqipëri", konstatoi Koçi. Ai këmbënguli se në SHBA, senatorja Klinton nuk e kishte të vështirë të deklaronte në Ohajo se "Amerikën e kanë bërë amerikanët e thjeshtë". Ndërsa zhvillimet e fundit në raportet PS-LSI nuk duhen parë më shumë si "përçarje dhe humbje uniteti", por si shanse që e majta të gjejë vetveten. Konflikti mes dy partive kryesore të së majtës shpërtheu pak ditë më parë në mënyrë publike. Reforma zgjedhore u deklarua si "molla e sherrit" mes Ramës dhe Metës. Ky i fundit, në një prononcim publik deklaroi shkëputjen nga koalicioni opozitar, duke krijuar një lëvizje të re të quajtur "koalicioni e majta për integrim". Aksioni politik u shoqërua me akuza të rënda ndaj lidershipit të Partisë Socialiste dhe kryetarit Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›