PS: Qeveria të forcojë luftën ndaj korrupsionit
Partia më e madhe e opozitës i bën thirrje mazhorancës të intensifikojë luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, kërkoi nga qeveria të reflektojë ndaj sinjaleve të Bashkimit Evropian në luftën ndaj këtyre dy fenomeneve negative. Grupi parlamentar përshëndet nismat e reja të shpallura dy ditë më parë nga zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Barrot, dhe nga komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke i konsideruar këto nisma si një mbështetje e fortë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. "Ne vlerësojmë se detyrimet që i adresohen në mënyrë specifike Shqipërisë, të transmetuara nga ambasadori i BE në Tiranë, Lohan, kërkojnë përgjegjshmëri të lartë dhe një angazhim gjithë përfshirës", tha Leskaj. Sipas saj, PS dhe grupi i saj parlamentar kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme për integrimin e vendit në kryerjen e reformave, sidomos atë në drejtësi dhe reformën zgjedhore, ndaj dhe ka shprehur jo vetëm vullnetin, por ka dhënë kontributin e saj konkret në realizimin e këtyre reformave. PS gjykon se me miratimin e ligjit për pushtetin gjyqësor, procesi i reformave në drejtësi sa ka nisur, por jo përfunduar. Selia rozë shpreh besimin se ky proces do të vazhdojë me të njëjtat ritme, si një reformë shumë e rëndësishme në luftën ndaj korrupsionit dhe për sundimin e ligjit, si kusht i ripërsëritur edhe në deklaratën e fundit të Brukselit. "Ne i bëjmë thirrje qeverisë të reflektojë seriozisht ndaj sinjaleve të përsëritura të BE, për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, që këto të mos bëhen pengesë për integrimin e vendit", nënvizoi Leskaj. Ajo insistoi se çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe mjedisit të biznesit, që ne kemi kohë që po i vëmë në qendër të axhendës tonë opozitare, janë kondicionalitete shumë të rëndësishme për integrimin e vendit gjithashtu, siç u artikulua nga përfaqësuesi i BE. Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar i bën thirrje qeverisë për përshpejtimin e punës për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe të forcojë e modernizojë regjimin kufitar duke krijuar kushtet e nevojshme për regjimin e vizave, që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë. "Së fundmi, por jo nga rëndësia, ne mendojmë se reforma zgjedhore duhet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të garantojë forcimin e shtetit ligjor", u shpreh Leskaj. Ndërsa shprehin angazhimin serioz në procesin e reformës zgjedhore, socialistët njëherësh ndjejnë keqardhje që disa parti të vogla nuk konsiderojnë interesin e madh të vendit për t‘u ndarë nga një sistem politik i kalbur. "Duke adoptuar sistemin zgjedhor, që i jep fund partitokracisë dhe krijon një sistem me frymëmarrje të re e sa më përfaqësuese", këmbënguli Leskaj. Qëndrimi i djeshëm i socialistëve vjen në vazhdën e angazhimit në kuadër të reformave madhore. Qëllimi primar i këtij bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës ka të bëjë me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga Samiti i Bukureshtit.