Rama-Gjinushi, takim i fshehtë në PS
Kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, ka qenë mysafir i liderit socialist, Edi Rama, në orët e pasdites së djeshme. Në selinë rozë, në një takim konfidencial, janë mbledhur disa prej drejtuesve kryesorë për të analizuar reformën zgjedhore. Paçka se zyrtarisht, në mënyrë të çuditshme, është përpjekur të mbahet sekret një takim i tillë, burime partiake sqaruan se biseda ka zgjatur për disa orë. Qëllimi primar kishte të bënte me elementët e reformës zgjedhore dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Në kushtet e shpërbërjes së koalicionit të 18 shkurtit, duket se Rama është detyruar të zhvillojë takime vetëm me socialdemokratët. Në këto diskutime mësohet të kenë qenë figura të rëndësishme, anëtarë të Kryesisë së socialistëve dhe sekretariatit të partisë. Kreu i PS-së ka preferuar të marrë këshilla prej Gjinushit lidhur me qëndrimin e mëtejshëm, qoftë edhe në raportet brenda koalicionit të majtë. Duke pasur si synim edhe bindjen e Gjinushit për qëndrimet e deritanishme të PS-së për sa i takon sistemit zgjedhor, listave, pragut etj. Sakaq, kreu i KDK-së së LSI-së, Edmond Haxhinasto, i bëri dje thirrje haptas dhe publikisht Ramës dhe të tijve që të kthehen në institucionet kushtetuese të këtij shteti dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Sipas tij, Rama duhet të nxjerrë në tavolinë marrëveshjen PS-PD, që të gjithë shqiptarët të kuptojnë njëherë e mirë se për të aleanca e fshehtë me PD është shumë më e rëndësishme se fitorja e të majtës dhe integrimi në NATO. "I kujtojmë se është LSI që në 18 shkurt sakrifikoi nga vetja për të futur zotin Rama në zgjedhje e për të eliminuar bojkotimin e tyre nga PS, që do të ishte atentati më i madh ndaj të majtës, ndaj vendit dhe aspiratës së integrimit në NATO", argumentoi Haxhinasto. Sipas tij, duke sjellë në skenën politike retorikën e tij të tipit "as i majtë, as i djathtë", Rama vazhdon t‘i shërbejë Berishës, duke rrënuar identitetin e të majtës në Shqipëri. "Artikulimet politike intrigante e irracionale të disa liderëve të PS nuk përbëjnë asnjë shqetësim për një alternativë të shëndetshme si LSI dhe e majta për integrim, që me identitetin e tyre të spikatur të majtë vënë në krizë zotin Edi Rama", theksoi Haxhinasto.