Shuster: Fitorja në derbi vlen më shumë se tri pikë
Trajneri i Realit të Madridit, Bernd Shuster, beson se fitorja në derbin e së dielës kundër Atletikos së Madridit do të jetë një goditje e fortë për kundërshtarët, që mendojnë të ngushtojnë diferencën me skuadrën e tij. Gjermani fitoi në derbin e parë madrilen si trajner i Realit, kur skuadra e tij mposhti 2-1 Atletikon në javën e parë të kampionatit. Ai shpreson që ky rezultat të përsëritet, edhe sepse "merengues" duhet të reagojnë pas eliminimit nga Kupa e Mbretit në mesjavë. Nëse ata do të fitojnë, Shuster beson se ky rezultat jo vetëm që është thelbësor për të mbajtur larg kundërshtarët, por do të shërbejë edhe si një avantazh psikologjik. "Fitorja në derbi, qoftë kjo në fushën tonë apo në fushën e Atletikos, vlen më shumë sesa tri pikë", pohoi trajneri. "Një rezultat pozitiv vlen për të mbajtur në distancë kundërshtarët tanë, që shpresojnë të ngushtojnë diferencën në tabelën e klasifikimit. Nëse Reali fiton nesër (sot), kjo do të jetë një goditje e madhe për rivalët tanë". Shuster beson te fitorja dhe është mjaft i qetë, pasi e di se skuadra është përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje: "Jam shumë i kënaqur që skuadra është e motivuar. Për ne, puna më e rëndësishme është ajo që duhet bërë nga ana psikologjike për të motivuar lojtarët, që ata të kuptojnë rëndësinë e kësaj sfide, vazhdoi ai. Jam më i qetë tani, pasi futbollistët u kthyen në nivelet optimale. Nëse duam të fitojmë, duhet të zhvillojmë një ndeshje të mirë". Shuster e kujton me kënaqësi javën e parë të Primera Division dhe beson se tifozët e Atletikos do të bëjnë që ky të jetë një test shumë i vështirë për Realin e Madridit, pavarësisht se skuadrat janë shumë larg në klasifikim. "Në takimin e gushtit, Atletiko ishte favorite, por në derbi skuadra që luan në shtëpi është disi më e avantazhuar. Mbi të gjitha në "Kalderon", ku tifozët gjithmonë e mbështesin skuadrën. Do ta kemi të vështirë që të zhvillojmë një lojë të bukur në atë fushë. Në krahasim me muajin gusht, tani skuadra favorite jemi ne, pasi kemi 10 pikë më shumë në klasifikim. Megjithatë, mendoj se nuk është me vend që të nënvlerësosh Atletikon, që pas shumë vitesh arriti të krijonte një skuadër të aftë për të luftuar për titull".