E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: KQZ abuzime me pagat dhe shpërblimet

Për shkak të pagesave dhe shpërblimeve në kundërshtim me ligjin për 47 punonjës gjithsej të KQZ-së për vitin 2006 dhe 2007, i është shkaktuar shtetit një dëm ekonomik me vlerën totale rreth 8 milionë lekë. Janë paguar shoferët e komisionerëve, 9 persona për vitin 2006 dhe 8 persona për 8-mujorin e vitit 2007, mbi pagën mujore për vështirësi në punë në masën prej 150%, në shumën gjithsej prej 2102910 lekësh. Pagesa e vështirësisë mbi pagën mujore për shoferët e komisionerëve është bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Për vitin 2006 janë shpërblyer nga fondi i veçantë punonjësit e KQZ, gjithsej në shumën prej 4549151 lekë, ose më shumë në vlerën prej 1449151 lekë se fondi i veçantë i planifikuar në masën prej 5% mbi pagat, që përbën shkelje të disiplinës financiare. Gjithashtu, shpërndarja e shpërblimit në shumën prej 4549151 lekësh në fund të vitit 2006, nuk është bërë në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, e për rrjedhojë ka sjellë një dëm ekonomik më të madh se masa e tejkalimit të fondit të veçantë. Me urdhërpagesën nr. 297, datë 15.12.2006, është bërë pagesa për shpërblimin e 30 punonjësve të KQZ në shumën prej 4549151 lekësh, bazuar në urdhrin e titullarit me nr. 190, datë 13.12.2006, për dhënie shpërblimi punonjësve organikë të administratës së KQZ në fund të vitit nga një pagë mujore e lart, duke ju referuar VKM nr. 434, datë 28.06.2006 "Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore". Masa e shpërblimit të dhënë për çdo punonjës është në kundërshtim me VKM nr. 434, datë 28.06.2006, "Për fondin e veçantë në institucionet buxhetore", pika 4, ku përcaktohet se "Masa e shpërblimit nga fondi i veçantë i çdo punonjësi, në fund të vitit, duhet të jetë 10 mijë lekë" dhe me udhëzimet e Ministrisë së Financave nr. 3854/8, datë 25.09.2006, "Sqarime mbi zbatimin e VKM nr. 434, datë 28.06.2006" dhe nr. 8920, datë 27.11.2006 "Mbi dhënien e shpërblimeve". Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka vepruar në kundërshtim me VKM nr. 434, datë 28.06.2006, e për rrjedhojë është dhënë shpërblim mbi pagë në fund të vitit 2006, për 30 punonjës të administratës së KQZ, më tepër në shumën prej 1777830 lekësh, që përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›