E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI akuzon bashkinë, nuk po zgjidh problemet e varrezave

Kriza mes PS-së dhe LSI-së sa vjen dhe shtohet, kjo e fundit ka akuzuar dje Bashkinë e Tiranës për stanjacion në zgjidhjen e problemeve që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të Tiranës. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i grupit të këshilltarëve të LSI-së, në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Petrit Vargu, u shpreh se "20 mijë votat e LSI-së ndikuan në fitoren e kryetarit aktual të bashkisë, ndaj dhe LSI nuk mund të tolerojë që menaxhimi mediatik të injorojë menaxhimin konkret të problemeve të thella që ka Tirana". Duke marrë shkas nga tragjedia e Farkës, Vargu shprehu shqetësimin e thellë për situatën tepër të rëndë në varrezat e Sharrës, ku "si rezultat i mungesës së plotë të infrastrukturës, viktimave të kësaj tragjedie të madhe nuk mund t‘u bëheshin respektet e duhura, ashtu siç i meritonin". "Bashkia e Tiranës duhet të marrë masa urgjente për të zgjidhur problemin e kësaj varreze publike, duke siguruar zgjerimin dhe duke ndërtuar infrastrukturën e brendshme të saj. Ne shprehim shqetësimin tonë të thellë për problematikën në rritje dhe stanjacionin që po përjeton Bashkia e Tiranës në zgjidhjen edhe të problemeve të tjera që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve të Tiranës", tha Vargu. Ai vuri në dukje se "këto çështje, por edhe të tjera, si ajo e ujësjellësit dhe menaxhimit pa efektivitet të tij, janë ngritur me forcë për zgjidhje nga grupi i këshilltarëve bashkiake të LSI, por ndaj tyre është aplikuar e njëjta censurë bashkiake që po shihet shpesh edhe në organet e medias".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›