PS: Ministria e Bujqësisë dështon në punën e saj
Partia Socialiste ka reaguar dje nëpërmjet nënsekretarit për programin politik, Ervin Bushati, për gjendjen e vështirë në sektorin e bujqësisë. Gjatë një konference për shtyp, Bushati është shprehur se Ministria e Bujqësisë nuk siguron dot cilësinë e lëndëve të para, që përdorin bujqit si: fara, fidanë, plehra kimikë, ushqime blegtorale etj. Në takimet me fermerët dhe shoqata prodhuese anembanë vendit, është shprehur nënsekretari socialist, PS-se vazhdon t‘i përcillet në mënyrë të përsëritur shqetësimi i përgjithshëm për cilësinë e ulët të kontrollit dhe të inputeve, që përdoren në bujqësi. Sipas tij, Ministria e Bujqësisë nuk e përmbush misionin e saj, për të garantuar kontrollin e cilësisë së inputeve bujqësore në treg, që dëmtojnë rëndë punën dhe ekonominë e fermerëve shqiptarë. Pasojat e funksionimit të mangët të strukturave shtetërore kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e sipërfaqes së kultivuar dhe prodhimtarisë, duke sjellë dështimin e pritshëm të një investimi të arritur me aq mund dhe sakrificë. Investim, që në pjesën dërrmuese të rasteve është fryt i të ardhurave nga emigracioni.
Shkaktarë të kësaj situate janë, shkatërrimi pothuajse i plotë i strukturave kontrolluese të bujqësisë në varësi të ministrisë, si dhe mungesa e zbatimit të ligjit përkatës dhe funksionimi normal i inspektorateve të ngritura më parë për të kryer këtë mision.