Bushati: Si do të hiqen vizat në 2009-ën
Zv/ministri i Integrimit, Zef Bushati, ka ritheksuar dje premtimin e Kryeministrit Sali Berisha për liberalizimin e vizave brenda vitit 2009 për shqiptarët. Bushati, nëpërmjet një komunikate për shtyp u ka dërguar mesazhin forcave politike për bashkëpunim, sepse fati i liberalizimit të vizave varet 100% nga bashkëpunimi i politikës për kryerjen e reformave kyçe të kërkuara nga BE-ja.
"Vlerësojmë si shumë të rëndësishme klimën e dialogut pozitë- opozitë dhe bashkëpunimin politik që duhet të mbizotërojë në Shqipëri, me synim kryerjen e suksesshme të reformave dhe sfidave integruese për anëtarësim në NATO dhe më pas në Bashkimin Evropian", tha Bushati. Pajisja e shqiptarëve me pasaportat biometrike, përpilimi i regjistrit elektronik dhe respektimi i plotësimit të të gjitha kërkesave të sigurisë së lartë për kartat e identitetit janë disa nga kushtet më thelbësore të cilat kërkohen të arrihen brenda vitit 2008. "Arritja e këtyre standardeve na shërben për marrjen e ftesës për anëtarësimin sa më të shpejtë në familjen e madhe të Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike të NATO-s gjatë Samitit të ardhshëm të Bukureshtit", tha ai. Mesazhi i mirë për Shqipërinë erdhi dy ditë më parë nga vizita në Tiranë e zv/presidentit të KE-së, Franko Fratini, i cili u shpreh se liberalizimi i vizave për shqiptarët ndoshta do të bëhet në 2009-ën. Zv/presidenti i KE ka kërkuar që paketa e reformave të përkthehet në rezultate konkrete. Pas konsensusit të arritur mes pozitës dhe opozitës për realizmin e reformave në vend, nuk vonojnë dhe vlerësimet pozitive nga Bashkimi Evropian. Zëvendëspresidenti Fratini ka sqaruar se vizita e tij në Shqipëri bëhet menjëherë sapo BE-ja ka hapur negociatat për regjimin e vizave. Zëvendëspresidenti i KE-së ka vlerësuar Shqipërinë për procesin e bërë dhe duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha, ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm ka theksuar se ky proces i arritur duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, pasi ruajtja e këtij procesi është e rëndësishme. Duke kujtuar edhe një herë kushtet që BE-ja kërkon që të plotësohen nga Shqipëria për ta pasur më të lehtë liberalizmin e regjimit të vizave, Fratini ka vënë theksin se "duhet të përmirësohet siguria e dokumenteve, pra pajisja e shqiptarëve me dokumentet biometrike dhe hartimi i regjistrit elektronik të gjendjes civile, lufta kundër kriminalitetit dhe emigracionit të paligjshëm, mbrojtja e kufijve të jashtëm të vendit tuaj". Këto kushte, tha Fratini, nuk i duam thjesht për hir të Brukselit, por janë të rëndësishme për vetë Shqipërinë. KE do të vlerësojë secilin vend të Ballkanit në mënyrë individuale dhe jo në grup. Sipas Fratinit, "secili vend nga ky rajon do të vlerësohet mbi bazën e meritave të veta. Vendi që do të plotësojë kërkesat më herët, do të marrë më herët regjimin e lirë të vizave. Le të japim një shembull nga përvoja e kaluar. U deshën disa muaj që të hapeshin negociatat dhe pastaj nënshkrimi i marrëveshjes për liberalizimin e regjimit të vizave". KE ka hapur negociatat për liberalizimin e vizave dhe kur Shqipëria do të marrë regjimin e lirë të vizave, kjo do të varet nga rezultatet që do të vijnë.