"PD e PS të kthejnë borxhet"
Qeveria nis operacionin për të vjelë borxhin që partitë politike kanë ndaj buxhetit të shtetit. Shpenzimet e fushatës elektorale të 18 shkurtit kanë futur në borxh dy partitë më të mëdha, përfshirë edhe tre parti të vogla të kampit të majtë. Ministria e Financave i ka dërguar një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ekzekutimin e këtij borxhi nga partitë politike. Fondi total i buxhetit të shtetit për financimin e fushatës elektorale të partive për zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit 2007 ishte 60 milionë lekë të reja, ndërkohë që partitë të cilat detyrohen të kthejnë borxhin janë Partia Demokratike, Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike dhe Demokracia Sociale. Borxhi total që këto parti kanë gjithsej ndaj buxhetit të shtetit kap shifrën e 13 milionë lekëve. Për zgjedhjet e 18 shkurtit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cakton shumën prej 11.8 milionë lekësh për Partinë Socialiste për të përballuar shpenzimet e fushatës. 11.1 milionë lekë u vendos që të përdoren për fushatën e Partisë Demokratike para 18 shkurtit. Ndërsa si parti, e cila ka marrë më shumë se 20% të vendeve në Parlament, minutazhi i saj në televizion ishte i njëjtë me atë të Partisë Socialiste. Raporti për respektimin e dispozitave ligjore të ndarjes së fondeve financiare për kryerjen e veprimtarisë zgjedhore të partive politike dhe kthimin e detyrimeve financiare që kanë partitë politike, ka nxjerrë si debitor ndaj shtetit dy partitë më të mëdha politike në vend. Në bazë të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 9087 datë 19.06.2003, ndryshuar me ligjin nr. 9297, datë 21.10.2004, ligjin nr. 9676, datë 13.01.2007 neni 145 "shpërndarja dhe rishpërndarja e fondit për financimin e fushatës zgjedhore", partitë politike përfitojnë fonde buxhetore për zhvillimin e fushatës zgjedhore. Këto fonde buxhetore përballohen nga buxheti i shtetit dhe shpërndahen sipas rregullave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike. Me dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007, të nxjerrë nga ish-presidenti i Republikës, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore u vendos data 18.02.2007, vit i cili përkon dhe me lëvrimin e fondeve për këtë fushatë. Pas dekretimit të zgjedhjeve, KQZ nxjerr vendimin për partitë, të cilat përfitojnë fonde buxhetore sipas disa rregullash të përcaktuara në ligjin nr. 9087, datë 19.06.2003 "Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë" i ndryshuar. Për vitin 2007, për financimin e fushatës zgjedhore për organet e qeverisjes vendore, shpërndarja e fondit për subjektet pjesëmarrëse është kryer në përputhje me Kodin Zgjedhor sipas një rregulli. 10% e shumës ndahet ndërmjet të gjitha partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë regjistruar jo më pak se 30% të kandidatëve për zgjedhje. 40% e shumës ndahet ndërmjet partive të përfaqësuara në Kuvend, ose bashki dhe komuna sipas numrit të përfaqësimit dhe deputetëve të pavarur që rikandidojnë. 50% e shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin, ose për organet e qeverisjes vendore, kanë marrë jo më pak se 2,5% të votave sipas një formule të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Fondi prej 60 milionë lekësh është ndarë sipas rregullave të caktuara. Fondi prej 10%, në shumën 600000 lekë u është dhënë 6 partive politike me nga 1 milion secila, në bazë të vendimit të KQZ nr.1088, datë 13.02.2007. Fondi prej 40% në shumën 24 milionë lekë u është dhënë 29 partive politike, sipas vendimit të KQZ nr.1049, datë 09.02.2007. Fondi prej 50%, në shumën prej 30 milionë lekësh u është shpërndarë 8 partive politike sipas vendimit të KQZ nr.31, datë 19.01.2007. Me vendimin nr. 1827, datë 22.06.2007 të KQZ, bazuar në nenin 145, pika 2, të ligjit nr. 9087, datë 22.06.2003 të Kodit Zgjedhor, i ndryshuar, dhe të shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për pushtetin vendor më datën 11.06.2007, u përcaktuan shumat që partitë politike do të përfitojnë si kompensim ose do të kthejnë nga rillogaritja e shumës prej 50% të fondit të shpërndarë, sipas formulës së paraqitur në Kodin Zgjedhor. Nga rillogaritja dhe rishpërndarja e 50% të shumës së përgjithshme të fondeve të akorduara për financimin e fushatës zgjedhore të partive politike në përpjesëtim me numrin e votave të fituara prej partive në shkallë vendi rezultoi që gjashtë parti të vogla të përfitojnë kompensim prej 13 milionë lekësh, ndërsa 5 të tjera t‘i detyrohen shtetit po ashtu me 13 milionë.
pozita
PD borxhi 5493882 lekë
Fondi nga KQZ 11.1 milionë lekë
opozita
PS borxhi 5215770 lekë
Fondi nga KQZ 11.8 milionë lekë
Borxhi
PSD 1809099 lekë
PDS 810009 lekë
KQZ: Sa fond iu dha partive për 18 shkurtin
KQZ, përpara zgjedhjeve të 18 shkurtit, ka miratuar fondet që do të shpërndahen për partitë politike në fushatën zgjedhore. Fondi është ndarë në bazë të votave që partitë kanë marrë nga zgjedhjet vendore të 2003-it. Përfituese kanë qenë ato parti të cilat kanë fituar 2.5% të zgjedhjeve në 2003-shin. Tetë partitë të cilat kanë arritur të plotësojnë kriteret e KQZ për të përfituar nga ky fond janë Partia Socialiste, Partia Demokratike, socialdemokratët, republikanët, agraro-ambientalistët, Demokracia Sociale, Aleanca Demokratike dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike përfitojnë 50% të fondit të akorduar nga qeveria, ndërkohë që pjesa tjetër i kalon në dispozicion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për infrastrukturën zgjedhore. KQZ vendosi të shpërndajë 50 për qind të shumës nga fondi i akorduar nga buxheti i shtetit për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2007, partive të cilat në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2003 kanë marrë jo më pak se 2,5 për qind të votave.
Tabela
Partitë debitore
PD 5493882 lekë
PS 5215770 lekë
PSD 1809099 lekë
PAD 336934 lekë
PDS 810009 lekë
Përfitojnë kompensim
PR 1774303 lekë
PBDNJ 721057 lekë
PDK 2588771 lekë
PDR 2883426 lekë
PAA 479018 lekë
LSI 5219118 lekë