E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, dy të ndaluar për hashash

Vlorë- Policia e Vlorës ndaloi dy persona për kultivim hashashi. I pari ishte një 27-vjeçar, i cili u kap me një sasi lënde narkotike, që dyshohet të jetë e llojit kanabis sattiva. Sipas policisë, Gjon Çela, nga fshati Kocul, u prangos në afërsi të fshatit Vllahinë, gjatë një kontrolli të policisë, e cila zbuloi në automjetin e tij, dy pako të mbushura me pluhur, që mendohet të jetë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, në gjendje të përpunuar, me një peshë të përgjithshme prej 450 gramë. Materialet në ngarkim të tij iu përcollën prokurorisë së rrethit me akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Po sot, policia ndaloi 33-vjeçarin Drini Shametaj, i cili ishte dënuar nga gjykata me 3 vjet burg, për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Shametaj, banor i fshatit Sevaster, ishte shpallur person në kërkim në muajin tetor të vitit të kaluar, ndërkohë që, ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në gusht të vitit 2005, kur, policia zbuloi dhe asgjësoi në disa parcela prona të tij, 69 rrënjë bimë narkotike, të llojit kanabis sativa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›