Kabul, Prodi ushtarëve: Faleminderit!
Kryeministri italian, Romano Prodi, vizitoi dje Kabulin për të takuar, me rastin e Krishtlindjeve, trupat italiane të vendosura atje. Romano Prodi qëndroi vetëm pak orë në Afganistan, por gjeti kohën të shkonte në Herat, në perëndim të vendit, ku janë të vendosur ushtarët italianë. Prodi vlerësoi përpjekjet e kontingjentit italian për vendosjen e paqes në një vend të mbërthyer nga rebelimi islamik. Prodi, i cili drekoi me afro 2 200 ushtarë italianë në Afganistan, deklaroi se ishte i prekur nga sakrifica e tyre. Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar e kishte për detyrë të ndihmonte Afganistanin. "Falënderova ushtarët, administratorët dhe të gjithë italianët e pranishëm këtu, sepse puna e tyre është me të vërtetë e vyer", deklaroi Prodi për gazetarët në Kabul. "Është një kontribut për paqen, jo vetëm për këtë vend, por për të gjithë rajonin", vijoi Kryeministri italian. "U mallëngjeva kur pashë ushtarët italianë të angazhuar në veprimtari rindërtimi", ka thënë Kryeministri Prodi gjatë vizitës së tij. "Afganët, ka shpjeguar më pas, duhet të ndihmohen dhe në këtë kuadër Italia po dallohet jo vetëm nga një këndvështrim sasior, por edhe cilësor". Para kthimit në Itali, Kryeministri ka drekuar bashkë me ushtarët italianë në mensë dhe ka ngritur atje një dolli, duke uruar përzemërsisht festat. Ai u takua me Presidentin afgan, Hamid Karzai, i cili, i cituar nga mediat italiane, u shpreh në fund të takimit: "Faleminderit Itali"! Prodi u takua gjithashtu me komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Ndihmës në Afganistan (ISAF), ku u diskutua lidhur me rolin dhe kontributin e trupave italiane. Italia është një nga vendet e tjera të NATO-s që ka hezituar të dërgojë ushtarët e saj në zonat jugore dhe lindore të Afganistanit, ku militantët talebanë janë më aktivë dhe përleshen rregullisht me trupat ndërkombëtare nën komandën e NATO-s dhe të SHBA-së. Më shumë se 330 ushtarë të huaj janë vrarë dy vitet e fundit, që është periudha më e përgjakshme që prej rrëzimit të qeverisë së talebanëve në vitin 2001. Kryeministri italian, Romano Prodi, është kështu lideri i tretë botëror që në harkun kohor të dy ditëve viziton Kabulin dhe takohet atje me trupat ushtarake të NATO-s. Para Prodit, Afganistanin e vizitoi edhe Kryeministri i ri australian, Kevin Rud, i cili u takua me trupat australiane në këtë vend dhe siguroi Presidentin Hamid Karzai se nuk kishte ndër mend t‘i tërhiqte ato. Menjëherë pas fitores në zgjedhje, socialisti Rud kishte lajmëruar tërheqjen e trupave australiane nga Iraku, për t‘u përqendruar më shumë te lufta kundër rebelëve talebanë në Afganistan. Pak orë para Kryeministrit australian ishte radha e Presidentit francez, Nikolas Sarkozi. Para zgjedhjeve presidenciale të muajit maj, Sarkozi nuk pati dhënë ndonjë konfirmim nëse do të ruante nivelin aktual të trupave franceze në Afganistan. Por, tani ai ka filluar të flasë edhe për dërgimin e një numri trupash shtesë. Aktualisht, kontingjenti francez në Afganistan përbëhet nga 1600 ushtarë të këmbësorisë dhe një personel ndihmës prej 400 personash.