Njerëz me zemër të madhe
Prolog
Është mëngjes dimri. Bën ftohtë. Në
rrugën "Budi" një sirenë autoambulance
çan mes përmes rrymave të ajrit dhe grupeve
të studentëve, që lënë qytezën e ëndrrave
dhe derdhen drejt auditorëve të
universitetit, nëpër sheshet e Tiranës. Befas,
autoambulanca kthen majtas dhe
zhytet drejt një rrugice, ku shfaqet një godinë
trekatëshe, sipër së cilës një tabelë në
ngjyrën e qiellit i jep shpirt banesës ku qëndron
autoambulanca: "Sue Ryder Care,
Albania". Që në shqip do të kuptohet: "Shtëpia
e të sëmurëve terminalë, Shqipëri".
Dy burra të fuqishëm nxjerrin nga automjeti
një shtrat portativ me një njeri të
sëmurë. Shtrati kalon në ashensor, ngjitet
në katin e tretë dhe, ndërsa ata të dy
përpiqen me kujdes të sjellin pacientin në
dhomën përballë ashensorit, tri gra me bluza
të bardha zgjasin krahët dhe, pasi e ulin
burrin në një shtrat, fillojnë të akomodojnë
mysafirin në kushte që i ngjajnë një shtëpie
të mirë: shtrati pra i bardhë, një komodinë,
një tryezë me dy karrige, një frigorifer i
vogël, televizor dhe xhama të mbuluar me
një perde ngjyrë trëndafili. Pas ekipit të
"shpëtimit" në dhomë mbërrijnë edhe dy
prej familjarëve të pacientit. Janë dy gra me
fytyra të rrudhosura, që duket se kanë vuajtur
jo pak në jetë. Me zë të ulët, i drejtohem
njërës prej tyre, asaj më të moshuarës:
"Mirëmëngjes, zonjë… Nga jeni?"
"Na vijmë nga Tropoja e Vjetër. Kemi disa
vjet që kem‘ra në Tiranë. Për nji jetë ma
t‘mirë, zotni…" - më thotë më e moshuara.
"Vllau im asht sëmurë tash tre vjet. Ka
nji ftohje të vjetër në mushkni. Mjekët
thonë se ka kalue në sëmundje të randë.
Sa ma shumë kalojn ditët, aq ma e
tmerrshme sëmundja. I jep nji dhimje, që
aj nuk po e duron dot ma. Shpresojmë te
Zoti i madh dhe te k‘ta njerëz të mirë. Na
jemi fukarenj. Ilaçet e vllaut për smunjen
që ka, kushtojnë shtrenjt. Nuk munemi dot
me ja ble. Ai nuk punon. As e shoqja. As
na… N‘shtëpi ka tre vocrrakë. Jetojn me
ndihma të shoqatave. K‘tu, faleminers doktorave,
gjithça asht falas. Janë njerëz me
zemën t‘madhe…"
U përpoqa t‘ju sjell si njohje, apo si pasaportë
të këtij reportazhi në këtë Shtëpi të
sëmurësh terminalë, ose me sëmundje të
gjata kronike, fjalët e thjeshta të dy grave
të zakonshme, bujtur këtu si në Shtëpinë e
motrave dhe vëllezërve të tyre. Tani, le të
hyjmë në shpjegime të tjera.
Shtëpia Ryder Hospice…
…Është një qendër, në mjediset e së
cilës, një grup multidisiplinar specialistësh,
bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për
kujdesin e të sëmurëve terminalë. Ajo është
qendra e parë e këtij lloji në Shqipëri dhe
është hapur në vitin 2003, me mbështetjen
financiare të tre partnerëve: SRC England,
SRC Irland dhe fondacioni SOROS. Në mjediset
e Shtëpisë Ryder ndodhen pesë dhoma
me nga dy shtretër secila, me kushte
dhe pajisje optimale për trajtimin e pacientëve.
Një dhomë ndenjeje komode për
pacientët dhe familjarët e tyre, një ambient
për zhvillimin e kurseve të trajnimit dhe
edukimit, si edhe mjedise të tjera në ndihmë
të shërbimit të ofruar, ku spikasin: infermieria,
farmacia, kuzhina, tualetet me
dushe dhe vaska hidromasazh enkas për
të sëmurët terminalë, lavanteria dhe, duhet
thënë, pafundësisht vazo me lule në të
gjithë mjediset. Në Shtëpinë Ryder vepron
një ekip i përkushtuar multidisiplinar i përbërë
nga mjekë të njohur si dr. Agim Sollaku,
dr. Fatmir Prifti, dr. Petrit Leka, mjekët
Ali Xhixha dhe Jonida Tula, kryeinfermierja
e përkushtuar dhe një jetë me të sëmurët
onkologjikë, motër Nermin Vokopola, siç e
thërrasin pacientët stafi i hospisit, si dhe
kryeinfermierja Lili Siorra, me stafin e shërbimit
shtëpiak. Këtu, veç ekipit të lartpër-
Njerëz me zemër të madhe
mendur, janë të pranishëm psikologu,
punonjësja sociale, vullnetarë me eksperiencë
dhe me aftësi të larta profesionale, si
dhe një personel tjetër ndihmës. Qysh nga
themelimi, e deri më tash, në këtë Shtëpi
të përkujdesit për të sëmurët terminalë
kanë marrë mjekime speciale dhe janë trajtuar
rreth 2200 pacientë. Ekipet e shërbimit
mbajnë kontakte të vazhdueshme nonstop
me të gjithë të sëmurët e regjistruar, jo
vetëm në kryeqytet, por edhe në disa fshatra
ose qendra satelitore si: në Kamzë,
Paskuqan, Babrru, Farkë, Petrelë, Vorë,
Domie dhe në mjaft zona të thella rurale,
afër dhe larg kryeqytetit. Një simotër e saj,
një tjetër ekip i kujdesit në Shtëpi, gjendet
gjithashtu në Durrës. Ndërsa së shpejti, me
mbështetjen edhe të CARITAS-it në rrethet
e Shkodrës dhe të Lezhës, pritet të krijohen
skuadra të shërbimit paliativ.
Motër Nermini…
Ajo i është përkushtuar e gjitha punës.
Pacienti që sapo ka mbërritur, është akomoduar
sipas të gjitha kushteve të lartpërmendura.
Nermini hap shpejt e shpejt një
kartelë për banorin më të ri të Shtëpisë.
Ofron në komodinë paketat e ilaçeve dhe
grafikun e orareve të marrjes së tyre, shkëmben
me dy gratë e zhytura në trishtim fjalë
nga më të ëmblat, për një shëndet më të
mirë të të porsaardhurit. Ato të dyja marrin
zemër dhe e pyesin, pothuajse në një gojë:
"Çfarë do të bëhet? Ai ka temperaturë të
lartë dhe ka disa orë, që as jep e as merr…"
"Mjera unë për të…" - shkrehet në vaj
më e reja.
Nermini lëviz e qetë. Afron pranë të
sëmurit stativin me një bombol oksigjeni, i
bën atij si fillim një qetësues dhe, kur sheh
se i sëmuri përpëlit sytë, duke marrë frymë
me zor, ia lë vendin mjekes së re, Jonidës.
Unë jam në sallon, pa e fshehur se më ka
zënë edhe mua një ankth tronditës për të
sëmurin që shoh, në gjendje pothuajse
koma. Para se të nisë disa lëvizje të tjera në
shërbim të pacientit, Nermini i drejtohet
vajzës së përlotur:
"Mos qaj, motër. Dje ka mbërritur te ne
një kurë e re për ftohjet e thella dhe normalizimin
e frymëmarrjes. Keni për të parë
që shumë shpejt, deri në mbrëmje ndoshta,
ai do të përmirësohet mjaft dhe do të
flasë me ju krejt i qetë. Bëni pak durim, ju
lutem…".
Dy gratë përqafojnë njëra-tjetrën
përmes një ankthi të thellë.
I befasuar nga mënyra e të vepruarit me
pacientin, nga mënyra e ngrohtë e komunikimit
dhe e gjërave të thëna thjesht, sikur
të kishte vite njohjeje me familjarët e të
sëmurit, kur jemi ulur në sallonin e ndenjes,
e pyes:
"Prej sa kohësh njihesh me ta?"
"Pothuajse prej gjashtë muajsh, qysh
kur kemi nisur vizitat e para shëndetësore
në shtëpinë e tyre në Kamzë, me një ekip të
shërbimit shtëpiak. Kemi qenë së bashku
me Lili Çakshirin. O Zot, në çfarë kushtesh
të vështira jetojnë. Shtëpia e tyre është
thjesht një kasolle me një tek dhomë, me
katër mure balte, pa tavan, me një sobë
drush në mes të dhomës, ku unë pashë të
ziente një kazan me rroba. Shtrati i të
sëmurit qëndronte në cep të dhomës-shtëpi.
Një shtrat i marrë fund, i ndryshkur.
Por, pritja e tyre ishte e ngrohtë. Na nxorën
dy mollë dhe nga një karamele. Ai pra
vuan nga një ftohje pneumonare, që tash
i ka kaluar në një gjendje të pashërueshme…
Janë familje në nevojë. Pa
përkrahje sociale dhe pa asnjë të ardhur.
Siç jua tha vajza, jetojnë me ndihma shoqatash.
Ndërsa jeta e tij është në rrezik të
madh…"
"Po në qoftë kështu, në rast pra se ky
njeri nuk mund t‘i shpëtojë dot vdekjes,
përse duhet të merreni kaq shumë me të?
Kjo gjë kushton, besoj…"
"Siç e mësove, ai bën pjesë në atë grup
pacientësh me gjendje të rënduar shëndetësore.
Ndodh që, në këto raste, familjarët
e tyre t‘i kapë paniku, çorganizohen
dhe nga lodhja, ekonomike dhe
psikologjike, kalojnë në gjendje dëshpërimi.
Pikërisht në këtë kohë vjen edhe ndërhyrja
jonë. Për t‘i trajtuar dhe ndihmuar
pacientët, si ky i sotmi, për të cilët asistenca
në shtëpi, për arsye subjektive, nuk
realizon qëllimin e shërbimit shëndetësor,
që kërkohet. Ne pra përpiqemi të përmirësojmë cilësinë e jetës së tyre. Me një ekip
të specializuar në intervalin ndërmjet
jetës dhe vdekjes, si periudha më e vështirë
e jetës, në të gjitha dimensionet e saj.
Por, jo vetëm pacientëve. Ne u vijmë në
ndihmë edhe familjeve, pasi në këto raste,
mjaft prej tyre e humbasin ekuilibrin
psikologjik dhe bashkë me të edhe ekuilibrin
social dhe ekonomik. Kjo punë natyrisht
kërkon një durim të madh. Durim,
përkushtim dhe dashuri për njerëzit që,
për fat të keq, ndahen nga jeta për shkak
të sëmundjeve të pashërueshme.
"Sa e gjatë është rruga e Nerminit në
këtë profesion, nga fillimet e punës, deri
më sot…"
"Zë pjesën më të madhe të jetës sime.
Kanë kaluar më shumë se 30 vjet. Dhe, ja
ku jam. Shtëpia Ryder më ka mësuar
shumë gjëra të reja. Mbi të gjitha, të ndihem
si në shtëpinë time, në një familje të
madhe, ku jeta vazhdon të lartësojë muret
e sfidave ndaj vdekjes… Më kuptove, besoj!"
"Të pëlqen të të thërrasin motër? Sepse
këtu të gjithë kështu të flasin".
"Sinqerisht nuk e ndërroj me asnjë
emër tjetër. Aq më shumë që, në fillimet e
karrierës së saj, këtë emër e ka mbajtur
idhulli im dhe i miliona njerëzve në botë:
Nënë Tereza e madhe, simboli i mirësisë
dhe humanizmit. Shenjtorja jonë e pavdekshme.
Shkojmë, të lutem. Më duhet të
vazhdoj vizitat në dhomat e tjera…"
Dhimbje…
Është e hënë, ora 09.00 e mëngjesit, në
një fillim jave të re. Dy pacientë, nga ata të
shërbimit shtëpiak, një nga Bathorja dhe
tjetri nga fshati Zall Mëner, në afërsi të Bovillës,
i kanë zënë "pritë" motër Nerminit,
bash në hyrje të zyrës së saj. Vizitorja e parë
quhet Xhuvi. Ajo flet me një dialekt të
pastër verior dhe është nga fshatrat e
Kukësit të thellë malor. Është nënë e 11
fëmijëve. I shoqi, një ish-pacient i Shtëpisë
Ryder, ka vdekur para tre vjetësh,
duke i lënë gruas së mjerë një mal me
halle. Më i madhi i fëmijëve është 24 vjeç.
Edhe ai i sëmurë rëndë, me kancer në gjak.
Kohët e fundit, për shkak të dhimbjeve të
mëdha, ka kaluar në depresion.
"Motër Nermini, të lutem më ndihmo…
Ai sa vjen e rëndohet më shumë. Siç
më thatë ju, i jap çdo mëngjes pesë, ka
raste shtatë pika ilaç. Mirëpo ai nuk do t‘ia
dijë..."
"Ma jep kartelën ta shoh…"
"Qe, urdhëro… A e dini ç‘na ndodhi
para tri ditësh… Kisha dalë në dyqan të
blej një thes miell për të ushqyer vocrrakët.
Kur po afrohesha te shtëpia, dëgjoj
ulërimën e nuses së djalit të kunatit.
Hodha thesin në rrugë dhe u turra në oborrin
e shtëpisë. Shoh djalin, që kishte kapur
për flokësh motrën e vogël trevjeçare, e
sillte rrotull në ajër dhe po e çonte te gryka
e pusit. U tmerrova, për besë. Mos, mos e
ban, të keqen nana, mos… - i brrita me sa
fuqi kisha… Po si mos, moj nanë, më tha.
Mua po më çahet trupi nga dhimjet, marova
krejt, nuk munem ma. Kjo qan për ty
pamarim. S‘e duroj dot. Do ta heq qafe…
Jo, i them, se e pushoj vetë dhe nuk ka me
qa ma. Hajt, të past nana. Florini i nanës,
i bukuri i nanës… Ja thash këto dhe nisa
të qaj, me zë të heshtur. Ai, u zbut. E uli të
motrën në tokë dhe, pasi u shemb mbi
supin tim, u shkreh edhe ai në vaj. Më
beson, motër Nermini? Dje i kam ushqyer
fëmijët veç me grosh, pa vaj e pa qepë.
Jetojm me pensionin e tim shoqi, 7 mijë
lekë në muaj dhe me pensionin e invalidit
të djalit, 4 mijë lekë të tjera. Fëmijët m‘i
veshin dhe m‘i mbathin fqinjët. Në
mëngjes i qes bukë me ujë me sheqer. Në
darkë, qull rrens. Natën, kur flejnë, i mbuloj
gjith‘ me ato batanije, që më ke dhanë
ti. Unë jam bërë të vras veten më mirë.
Vdekja ime, besoj, do t‘i shpëtojë fëmijët
e mi. Të madhin do ma çojnë në spital,
ndërsa vocrrakët do t‘mi marrë shteti dhe
mund t‘i çojë nëpër streha vorfnore… Të
lutem, motër, eja nji ditë në shtëpinë tonë.
Eja, takoje pak djalin. Ai, me një fjalë
tënden dhe të doktor Agimit, kalon i qetë
dy muaj. Të lutem, eja…" Gruaja mbulon
fytyrën me duar, shkrehet në vaj dhe del
jasht zyrës. Trishtim më të madh gjatë këtij
viti, nuk më kishin zënë sytë. Pa mbaruar
ende kjo skenë, në zyrën e kryeinfermieres
Nermin Vokopola hyn një burrë i
moshuar. Është ai nga Zall Mëneri i Bovillës…
"Mirëmëngjes motër. Je e zënë?"
"Hajt, urdhëro Baftjar. Si e ke hallin?"
"Pothuaj, si halli i zonjës, që sapo doli.
Djalin ma kanë mbuluar gjëndrat. Nuk ka
asnjë përmirësim…"
"Ma jep pak kartelën. (Ajo hap disa fletë
të kartelës dhe sheh se këshilli i mjekëve
të Shtëpisë Ryder ka vendosur, që djalin
ta nxjerrë në konsultë, me 25 të këtij muaji.)
"Baftjar, nisu në shtëpi. Me 25 vjen doktor
Agimi dhe doktor Fatmiri. Do të jem
edhe unë. Vazhdo ilaçet dhe durim…"
"Nuk kemi më as edhe një kokërr".
Nermini shkon në raftin e barnave.
Gjen ato që i nevojiten pacientit dhe i zgjat
kutinë.
"Djali ka shumë dhimbje, motër Nermini.
I çahet trupi gjithë ditën. Ndërsa
natën, prej krizave, nuk e merr gjumi asnjë
minutë…"
"Atëherë, nesër sille këtu, në Shtëpinë
tonë. Po e rezervoj dhomën qysh sot dhe
po njoftoj doktor Agimin të vijë t‘i bëjë një
vizitë urgjent. E mbajmë këtu tri ditë, shohim
gjendjen dhe, në u qetësoftë, merre
prapë në shtëpi. Në mos, do t‘i nënshtrohet
përsëri rrezeve…"
"Faleminderit motër. Veç unë jam
mërzitur mjaft. Të paguaj njeri të më vrasë,
do të shpëtoja. Në shtëpi është krijuar një
gjendje e mjerueshme. Toka nuk prodhon
më as misër, jo ushqime të tjera. Le që atë
po e gërryen lumi".
"Atëherë, nesër, Baftjar. Po ju presim.
Nëse nuk keni mjet, më telefono, t‘ju dërgojmë
autoambulancën".
Edhe ai ikën, si zonja më parë, i përlotur.
Ikën, por fytyrat e tyre kanë mbetur
aty, midis dhomës, si dy ikona të plagosura
rëndë prej djallit të fukarallëkut dhe të
marra peng nga sëmundjet e rënda. Është
një ditë vërtet nga më të trishtueshmet…
Binjake në dy skaje të
Evropës
Ishte qershori i këtij viti, kur Joni dhe
Nermini morën një ftesë nga Qendra Ryder,
në Mbretërinë e Bashkuar, ndryshe,
Anglia. Drejtuesit e qendrës atje, kishin
hartuar një program të përbashkët pune,
mes mjekëve dhe infermierëve të specializuar
britanikë dhe shqiptarë, në qytetin
Leeds, në Sue Ryder Care-Wheatfields.
Natyrisht kjo ishte një ngjarje për stafin e
Shtëpisë Ryder në Tiranë. Pas së cilës do
të vinte edhe binjakëzimi. Kur flitet për atë
eksperiencë pune, motër Nermini kujton:
"Ishte vërtet shumë impresionuese.
Takimi në aeroport dhe pritja e ngrohtë e
grupit. Ne e dinim se ky shërbim pune ishte
i domosdoshëm. Se prej tij do të hidhnin
rrënjë edhe disa hospise, ose qendra
të tjera të tilla shëndetësore në vendin
tonë. Ne ndenjëm në shtëpinë e Xhillit
dhe Davidit, një çift jashtëzakonisht mikpritës.
Vetëm dy javë, por që m‘u duk sikur
qëndrova atje një shekull. Ndërkaq, nuk
mund të harroj pa kujtuar Samantën, Edvinën,
komunikimin e tyre të thjeshtë dhe
frytdhënës prej kolegësh. Por edhe Grigun,
Tomin, Pamin, Helenën, që na ndihmuan
aq shumë dhe u përkushtuan ndaj
nesh, për të na përcjellë eksperiencat e
tyre, profesionalizmin, informacionet e
çmueshme, librat që nuk ishin të pakët.
Kolegët e Londrës gjithashtu ishin mjaft
të përkushtuar në atë dyjavorësh punë të
përbashkët. Eh, ne vazhdojmë të
përpiqemi që, gjithë atë eksperiencë që
morëm nga Leedsi dhe Wheatfieldsi, ta
përshtatim këtu në familjen tonë të madhe,
në Shtëpinë Ryder. Kjo është e gjitha.
Ah, prit… Vetëm një javë më parë, këtu
mes nesh erdhi menaxherja e përgjithshme
e hospiseve të Sue Ryder England.
Natyrisht, edhe kjo është një ngjarje e
madhe për ne. Sepse, vetëm pesë vjet pas
themelimit, është nënshkruar mes nesh
një marrëveshje shumë e rëndësishme
dhe ne jemi binjakëzuar tashmë me Hospice
Sue Ryder Care në Leeds-England.
Ndjejmë se jemi rritur, por edhe pse tash
kemi miq të fortë në krah. Është padyshim
një arritje e suksesshme, frytet e së cilës
presim t‘i marrim shumë shpejt. Besoj, kjo
mjafton për të njohur më mirë pasaportën
e Shtëpisë sonë Ryder…"
Shqetësimet
Në Shtëpi dita dhe nata ecin me ritmin
e kohës dhe i ngjajnë banorëve të saj. Të
atyre që jetojnë këtu, por edhe të pacientëve
që qëndrojnë në banesat e tyre
në qendrat satelite në Babrru dhe Kamzë,
Domje dhe Petrelë, Vorë dhe Bathore. Unë
jam sërish me motër Nermin, siç e thërrasin
shkurt dy Liljanat, mikeshat e vjetra,
me të cilat i lidh një miqësi dhjetëravjeçare,
qëkur punonin së bashku
në qendrën spitalore universitare "Nënë
Tereza".
"Nga jashtë, duket se gjithçka këtu tek
ju shkëlqen. Por, kam përshtypjen se keni
edhe ju problemet dhe shqetësimet tuaja"
- e ngacmoj si padashur. Ajo, Neri, reagon
menjëherë. Shumë sinqerisht:
"Sigurisht që po. Dhe, për ne, problemi
më i madh është indiferenca e shtetit me
Shtëpinë Ryder. E dini? Deri më tash, asnjë
prej ministrave të shumtë të shëndetësisë
nuk e ka kaluar pragun e Shtëpisë
Ryder. Ata, ndoshta, as që e dinë, që ekziston
kjo qendër kaq popullore tashmë
dhe kaq prestigjioze. Nejse. Por, çfarë
duam ne prej shtetit? Çfarë kërkojmë? Ne
thamë se kemi shumë nevojë për ilaçe për
pacientët tanë. Dhe, ajo që ne kërkojmë
prej tij, është thjesht prezenca më tepër e
shtetit në këtë shërbim. Është një detyrim
ligjor ky i Ministrisë së Shëndetësisë dhe
Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit
Shëndetësor ndaj shtetasve të vet. Që,
realisht, është shumë i vogël. Rimbursohen
aq pak barna, sa nuk mund t‘i llogarisësh.
Shkurt, as 20% e tyre në vit. Shtet,
ku je? A e di si jetojnë dhe si luftojnë me
vdekjen dhjetëra njerëz në këtë qendër
dhe mijëra njerëz të pafajshëm, me probleme
të mëdha shëndetësore,
ekonomike, sociale dhe psikologjike në të
gjithë vendin? Shtet, zgjohu dhe qëndro
pranë njerëzve, që të bëjnë të funksionosh,
përmes votave që ti ua kërkon sa herë vijnë
fushatat elektorale. Shtet, të presim këtu
në Shtëpinë Ryder. Eja, shtet!"
Ndarje s‘ka
Në qytet ka rënë muzgu. Nuk ka drita
dhe zhurma e gjeneratorëve na e heq
dëshirën për të pirë një kafe ekspres. Aq më
shumë, kur në qiell rishfaqet sinjali i kaltër
i autoambulancës, që afrohet si një dinozaur
i nervozuar mes shtresave të errëta të
ajrit dhe derdhet më pas në rrugicën, ku
tabela e kaltër "Sue Ryder Care, Albania"
duket zbehtë, për shkak të mungesës së
dritave. Megjithatë, kjo nuk më pengon të
përqafohem me shumë prej të zotëve të
Shtëpisë Ryder dhe të ndahem me ta, si një
mik i vjetër. Përkohësisht. Sepse unë kam
mësuar shumë prej tyre. Kjo do të thotë se
ndarje s‘ka. Dëgjohet zhurma e hapjes së
derës së pasme të autoambulancës. Një
banor i ri do të akomodohet në dhomat e
bardha, ku jeta lufton me vdekjen, përmes
sakrificave pafund të një stafi mrekullisht
njerëzor dhe të përkushtuar. Këtu dashuria
e mposht urrejtjen dhe i jep krahë jetës,
të përqafojë gjithë qytetin. Dhe pas tij,
gjithë botën.