Çavez detyron fqinjët të rrisin potencialin ushtarak
Fillimisht ishte Venezuela ajo që shpenzoi 4 miliardë dollarë për të blerë avionë luftarakë rusë. Kallashnikovë, madje ndoshta edhe nëndetëse. Më pas ishte radha e Brazilit, i cili në gushtin e këtij viti deklaroi rritjet me 53% të buxhetit ushtarak për 2008-ën, rritja më e madhe gjatë dekadës së fundit. Kompeticioni është ende në hapat e para, por ndërsa dy pasanikët e rinj të Amerikës Latine - falë burimeve të pasura me naftë - nisin të shpenzojnë shifra marramendëse për pajisjen e ushtrive, mund të thuhet se po bien kambanat e alarmit për një garë të vërtetë armatimesh.
Me të vërtetë, fushata e blerjeve të Çavezit i ka dhënë një të shtyrë të fortë politikës braziliane, duke bërë që të fillojë të mendojë për ripërtëritjen e arsenalit ushtarak të vendit. Senatori Hoze Sarnei, kritik i rregullt i Presidentit venezuelian, tha: "Forcat ushtarake të Hugo Çavezit kanë porositur 100 mijë kallashnikovë, 50 helikopterë sulmi dhe transporti, bomba inteligjente, 24 avionë luftarakë Sukhoi Su-30. Gjithashtu po zhvillohen tratativa për blerjen e nëntë nëndetëseve për vlerën e 3 miliardë dollarëve. E gjitha kjo është tepër shqetësuese. Në rast se Venezuela kthehet në fuqi ushtarake, një fakt i tillë i detyron shtetet e tjera të Amerikës së Jugut të rrisin fuqinë e Forcave të Armatosura. Ndoshta është shumë e trishtë të pranohet, por duket se nën sipërfaqe ka nisur një garë e vërtetë armatimi".
Jo se Brazili dhe Venezuela kanë diskutime territoriale të ndonjë farë lloji. Venezuela ka mosmarrëveshje territoriale me fqinjët e tjerë, Kolumbinë dhe Guanën. Megjithëse zor të përdorë forcën e armëve për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Ushtria venezueliane nuk ka përvojë luftarake si ajo e Kolumbisë - e cila prej vitesh është e përfshirë në një luftë të tejzgjatur civile; ndërkohë që çdo lloj ndërhyrjeje në Guana do të fuste në lojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetin që dikur e dominonte kolonialisht, Britaninë.
Duket se hë për hë, përforcimi i potencialit ushtarak vetëm i jep Çavezit të Venezuelës më shumë prestigj në betejën kontinentale për supremaci politike. Çavezi ka bashkuar të majtët radikalë të Amerikës së Jugut nën flamurin socialist; ndërkohë që Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, drejton një koalicion më të kufizuar të përbërë nga social-demokratë. Të dy janë miq, por vendet e tyre po përpiqen të fitojnë statusin e lokomotivës ekonomike dhe politike të Amerikës së Jugut. Dhe fuqia ushtarake ndihmon shumë në këtë pikë.
Obsesioni i së shkuarës së Brazilit ka qenë konflikti i mundshëm me fqinjin jugor, Argjentinën. Por kjo tashmë i përket historisë. E, megjithatë, shpenzimet për armatime të Venezuelës e kanë detyruar Brazilin të pranojë se është përpara domosdoshmërisë për të rishikuar potencialin ushtarak. Tashmë i duhet të sigurojë kufijtë në veri dhe në perëndim nga rreziku i kontrabandistëve të lëndëve narkotike. Njëherësh i duhet edhe të mbikëqyrë ujërat territoriale, ku po zbulohen rregullisht rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Forcat e Armatosura që duhet të kujdesen për këto janë bërë pre e harresës dhe e neglizhencës. Një editorial i pak ditëve më parë, shkruar në të përditshmen "O Estado de Sao Paulo", arrinte në përfundimin se thuajse dy të tretat e forcave ajrore dhe gjysma e mjeteve detare nuk qenë të përshtatshme për të përmbushur detyrat e ngarkuara.
Presidenti Lula i ka kërkuar kongresit brazilian të vërë në dispozicion të buxhetit ushtarak të vitit 2008, 5.6 miliardë dollarë. Brazili ndjek atë që quhet politika "zhbindëse" e mbrojtjes dhe pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për blerjen e pajisjeve të karakterit jo agresiv, si avionë transporti, helikopterë, pajisje komunikimi. Sipas zyrtarëve dhe analistëve të Ministrisë së Mbrojtjes, rreth 70 milionë dollarë kanë qenë hequr mënjanë për të mbuluar shpenzimet e prodhimit të një nëndetëse nukleare.
"Shumë pika të rëndësishme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vendit, janë neglizhuar rregullisht", thotë Martin Xhois, analist për potencialin ushtarak amerikano-jugor. "Njëra është rajoni i Amazonës, ku trafikantët e drogës veprojnë pa u hyrë gjemb në këmbë. Së dyti, po vërehet shtimi i pranisë së grupeve guerilase nga Kolumbia, gjë që kërkon logjistikë dhe mjete që garantojnë zhvendosje të shpejta; është kjo arsyeja për të cilën helikopterët dhe mjetet e tjera ajrore janë vendosur me përparësi në listë. Më pas vijnë edhe rezervat e reja të naftës të zbuluara së fundmi, gjë që ka sjellë edhe nevojën e nëndetëses nukleare. Zyrtarët brazilianë thonë se duhet t‘i mbrojnë këto burime".
"Venezuela", thotë Xhois, "është shumë poshtë në listë për sa u përket armatimeve". Por duhet thënë se Çavezi i ka dhënë shkëndijën garës së armatimeve, duke bërë që politikanët nacionalistë brazilianë të votojnë për shtimin e buxhetit ushtarak. Një pjesë e mirë e fondeve të sapopropozuara do të shkojnë për ringjalljen e industrisë së fjetur të armatimeve. "Në vitet 1970-1980 kishim 1% të tregut botëror të armëve", thotë koloneli Geraldo Lesbat Kavanjari, koordinator i grupit të studimeve strategjike në Universitetin "Unicamp". "Duhet ta ringremë më këmbë atë industri dhe të investojmë me këmbëngulje. Kjo do të thotë të prodhojmë vetë për të mbuluar nevojat e forcave ushtarake braziliane".
Në vitet ‘80, shtatë ndër dhjetë vendet që përbëjnë Amerikën jugore kontrolloheshin nga regjimet ushtarake, por edhe atëherë konfliktet jashtë kufijve qenë shumë të rralla. Të gjithëve u intereson që gjendja të mbetet e tillë. Dhe një garë armatimi në nivel rajonal zor se është mënyra më e mirë për garantimin e paqes.