E Diel, 1 Nëntor 2026

"Lamtumirë Mama!"

Një ndër skenat më mbamendëse për çdo fëmijë në filmin "Tomka dhe shokët e tij", është ajo e Gurit që qan për kecin e tij të vogël. Guri e ka kecin si vëlla, kudo shkon me të e në një moment që i mungon e dyshon se mos i kish humbur nis të qajë. Guri ishte dje ndër qindra pjesëmarrës në procesionin e hirtë të homazheve dhe përcjelljes për në banesën e fundit të regjisores shqiptare, Xhanfize Keko, që ndërroi jetë dy ditë më parë. Guri, Flurans Ilia, është ndër ata dhjetëra fëmijë që u shndërruan në aktorë të përzgjedhur nga "mama" Xhanfise. Ai ishte dje në ngushëllime me në krah ish-kolegët e fëmijërisë, Artan Puton dhe Genci Mushon, ku të tre kanë luajtur te "Tomka".

Fluransi ka mall e dhimbje për Xhanfisenë dhe për faktin se muaj më e parë e ka ritakuar për një intervistë. Impresioni më i fundit i Fluransit te filmat e "mamasë" (kështu preferon ta quajë), është konstatimi i koherencës së tyre. Dhe këtë ia ka evidentuar vetë e ndjera. Filmat e Xhanfizesë janë ndër të rrallët që nuk mbesin peng i një ideologjie të caktuar me ç‘shkas do mbeteshin dhe brenda limiteve të një kohe të caktuar. Tomka me shokët kanë luftuar për fushën e tyre të zënë nga gjermani, por dhe sot janë sa e sa Tomka dhe shokë nga pas që shohin t‘u merret "toka" e tyre fëminore nga "gjermanët" e industrisë së ndërtimit. Kështu, fëmijët nuk janë më fëmijë. Ose të vijmë te filmi "Kur xhirohej një film". I njëjti thelb koherent. Eshtë kriza e bashkëshortëve, ndarja e tyre që viktimizon fëmijët. Krizë për arsye karriere ashtu si dhe sot, ku burri dhe gruaja nuk janë në gjendje të ndajnë detyrat karshi familjes. Mes tyre është fëmija plot trauma që kërkon rindërtimin e familjes së prishur. "Mimoza llastica", është filmi tjetër ku në qendër është një vajzë e llastuar që futet në grindje me bashkëmoshatarët e pallatit e lagjes. Filmi ka si subjekt mënyrën e edukimit të fëmijëve. Po ashtu dhe "Beni ecën vetë". Ose "Taulanti kërkon një motër", që i përgjigjet manisë së sotme për të ndjekur "planifikime familjare", pa pyetur për sentimente njerëzore. Ndaj, të tillë filma, do ia vlenin të shfaqen dhe sot, jo vetëm për mesazhin edukues, por dhe që brezi i sotëm që rritet me pahir para kohe, duke iu kompjuterizuar truri, ta shohin veten në një tjetër dritë; të shohin origjinalin e tyre.

Pikërisht për këtë, Xhanfise Keko, ishte dhe do të mbetet një "mama" e madhe e kinemasë shqiptare. Sepse nëse me emfatizëm flasim për një industri të rëndë kinematografike në vitet e ish-regjimit, paralel e jo si thjesht një aneks, duhet të vëmë kinemanë e zonjës Keko. Një kinema që për fat të keq pushoi së ekzistuari që në momentin që dhe atë e lanë fuqitë. Askush nuk doli që ta dublojë apo t‘i marrë stafetën. Pra, është një "vdekje" e dytë ikja nga jeta e Xhanfise Kekos. E para është "vdekja" e industrisë së filmave për fëmijë, këtu e 17 vjet, ndonëse si për paradoks, zelli i një njeriu për ta ringjallur këtë traditë siç është regjisori Namik Ajazi, ka bërë që në Shqipëri të organizohet çdo vit "Fest Giffoni", një ndër evenimentet më të njohura botërore të filmit për fëmijë.

Guri i rritur sot, Flurans Ilia, kujton nga Xhanfise Keko, mjeshtërinë e saj në punën më fëmijët. "Ajo u linte improvizimeve nga ana e fëmijëve, si dhe i lejonte fëmijët të ishin vetvetja, pa ngucje e sforcime, ndaj dhe ne, ish-personazhet e saj kemi qenë aq mbresëlënës, aq të natyrshëm, aq mjeshtërorë e origjinalë në lojë", shprehet Ilia. "Isha në kopsht, kujton ai, një fëmijë 5 vjeç. Në Berat, kishte ardhur grupi i xhirimit, por Xhanfisesë i duhej dhe një fëmijë për rolin e Gurit. Të tjerët i kishte siguruar që në Tiranë. Kështu që erdhën në kopsht e na bënë një kinoprovë mua dhe një fëmije tjetër. Fitova unë e kështu, e bëra unë rolin e Gurit me kecin e tij. Por te skena ku qaja, situata u vështirësua se mua nuk më vinin lotët. Më pas kam qarë dhe kam qarë me të vërtetë dhe kjo për aftësi të regjisores, e cila sajoi aty për aty situata që mua më bënë të qaj. Ishte mjeshtre e pakrahasueshme në këtë drejtim. Ajo e njihte thellë psikologjinë e fëmijës dhe e shfrytëzonte atë si të ishte thesar. Ndaj dhe rolet e saj, janë perla të kinemasë shqiptare", shprehet Flurans Ilia.

Regjisorja Xhanfise Keko u përcoll dje për në banesën e fundit. Qindra personalitete të artit shqiptar në vite, u takuan sërish në një ditë morti duke ndërruar nga një cigare e duke pëshpëritur fjale e kujtime për të ndjerën. "Iku dhe Xhanfisja!", ishte ndër më të artikulueshmet jo fjalë, por psherëtimë dhimbjeje për një brez që po shuhet dalëngadalë. Mes tyre ishte dhe Fluransi që gjithnjë parapëlqen ta quajë mama, "mama të filmave për fëmijë". Por meqë ish e vetme, përse mos quhej dhe "mamaja" e kinemasë shqiptare!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›