E Diel, 1 Nëntor 2026

Skena e "Bylisit" lahet me lot malli

Ajo u përlot ndërsa nuk dinte të ndante mes vendit ku lindi e u rrit dhe atij ku vijoi jetën bashkëshortore. Ajo u përlot kur në bashkëbisedimin me ish-bashkëqytetarët e saj i kërkuan këngë myzeqare. Ajo nuk u përmbajt më fare kur nostalgjia e rinisë ekspresive rinore ju rikthye prej kujtimeve të prura shpenguar nga ata që sot kishin vënë thinja, ndërsa ajo nuk kishte ndryshuar në karakter. Ajo nuk bëri zë dhe u shtang, kur repertori i këngëve të para ‘90-ës kërkohej madje dhe nga të rinjtë e Fierit. Ajo u ndie krenare para gjithë kësaj pritjeje dhe dhuroi për këtë krenari të qytetit nga rridhte, një spektakël modern, me nota romantike dhe melodioze, me ritme të ndryshme dhe me tekst të mahnitur, që vetëm një zë si i saj mund t‘i binte aq të dashur e të ngrohtë, aq të duartrokitur dhe të mirëpritur.

Ishte Lindita Sota, që nga Fieri kishte ikur me flokë të shkurtra dhe me vetulla të trasha, si dhe një gjallëri rinore dhe që pas shumë vitesh kthehej më e pjekur për nga finesa, kjo si shkak i kohës e sistemit që ndryshoi, por shumë shumë më bukur nga ajo bukuri e pakrahasueshme që mbahej mend. Salla e teatrit ku këndoi kishte pjesëmarrje të madhe dhe selektimi i artdashësve ishte bërë rastësor sikur të ishte paracaktuar. Në radhët e para i qëndronin të gjitha ato gra e burra që e kishin njohur Lindën në rininë e saj, pak më lart ndodhej një brez më i vjetër dhe në fund duartrokitjet rinore që iu bënë refren në të gjitha këngët që përcolli ëmbël.

Me skenografi të shkëlqyer dhe me një staf të prurë dinjitoz, koncerti live i Lindita Theodhorit (Sotës), u cilësua si një nga më të arriturit e këtij viti, si dhe një finale e aktiviteteve artistike të 2007-ës në Fier.

Koncerti: Mbrëmjen e së shtunës, ndërsa aktivitetet kulturore thuhet se kishin përfunduar në këto ditë të fundit të vitit, në skenën e "Bylisit" hipi Theodhori, që tashmë gëzonte pas viteve që kishin kaluar dy djem që i ishin bërë burra dhe një jetë endacakeje prej emigranteje. E nisi me një këngë të kompozuar nga Ardit Gjebrea me titull "Si një ëndërr", teksti i së cilës u ngrit në piedestal mbi nota muzikore nga zëri i Lindës, që duhet thënë se gëzonte edhe titullin "Artiste e Popullit". Vijoi me këngët "Të jesh artist", "Kafe Flora", "Kur kthehem në qytetin tim", si dhe më një potpuri të gjatë serenatash korçare. Nuk harroi pa kënduar atë këngë që la të fundit në këtë skenë "Çobankat" si dhe hitin fierak "Vish fustanin me toka". Gjithashtu, mjaft bukur ajo prezantoi me zërin e saj tashmë të pjekur këngët e trevës së Vlorës, me këtë të fundit lidhur shumë vitin e fundit, pas kthimit nga Anglia . Ndërkohë që si limonada në koncertin e titulluar "Every green" Lindita Theodhori solli himne të muzikës greke, si dhe baladat e famshme angleze e amerikane.

E përfundoi koncertin live mes fishekzjarrëve dhe ovacionet pas këngës së Beatles "Get back" duke dhënë një mesazh të qartë se sërish do të kthehet.

Mbështetja: Emocionet e shumta të kthimit të Lindës i shoi mjaft natyrshëm artistja dhe aktorja, Zamira Kita, e cila me modesti diti të ruante nga emocionet miken dhe shoqen e saj, të cilën e mbështeti në këtë rikthim në vendlindje. Zamira Kita, edhe pse shpeshherë në prezantim iu drejtua artdashësve prezentë në koncert se Linda tashmë ishte e Korçës, pranoi se një pjesë e mirë e saj ishte në Fier dhe preferoi që ta dhuronte për një natë miken e pandarë të saj, Linditën. Kita këndoi dhe kërceu bashkë me të dhe në ndihmë i erdhi dhe nxënësja e "aktores" kryesore të koncertit të së shtunës, Lazarela. Tempi korçar u përthith nga pjesëmarrësit e shumtë që tekstin e këngëve e kënduan bashkë me të. Ndërkohë që vija muzikore e realizuar nga dy bateristët vlonjatë Arben Zhezha dhe Besnik Kuci, si dhe fonisti, bashkëshorti i Kitës, Arbeni, u sinkronizua edhe në emocionet që e përfshinë Lindita Theodhorin.

Arti në Fier: Mjaft këndshëm e mbylli jetën artistike qyteti i Fierit. Një javë më parë një tjetër këngëtare solli emocione të forta, Ermira Babaliu, ndërsa fundi i vitit i dha vend bijës së qytetit, Lindita Theodhorit. Fieri nga të gjithë artistët e fushave të ndryshme të ardhur për aktivitet të tilla kulturore është cilësuar si një nga qytetet më mikpritëse të artit në vend dhe të atyre që bëjnë art. Aktivitetet kulturore kombëtare tashmë kanë në Fier nga një logo të tyre siç është "Apolon 2007" apo dhe "Poetika Apolon" që përfundoi mesditën e së dielës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›