Librat e shkollës, autorët konflikt me botuesit për pagesat
Sa kushton një libër dhe sa kushton një autor në këtë libër? Kjo është çështja që shtrohet tani që botimi i librit shkollor është liberalizuar. Alterteksti ka futur në konflikt autorët e librave të shkollës me shtëpitë botuese. Ata që shkruajnë janë të pakënaqur me pagesat që u japin botuesit dhe këta të fundit gjenden përballë një sërë problemesh të tjera të tregut. I tillë është edhe rasti i autores së lëndës Anglisht, Zana Lita, e cila denoncon vjedhjen e një sërë shtëpish botuese. "Autori keqpërdoret në vendin tonë dhe një ndër ta jam edhe unë", u shpreh Lita, ndërsa shtoi se "botuesit që janë bërë superfuqi nuk deklarojnë tirazhin e saktë të librave që shesin, vetëm për të mos paguar sipas kontratës autorët". Kështu deklaron për "Shqip" Lita, e cila është autore e librit të Anglishtes të klasës së tretë, gjashtë, shtatë dhe të tetë të arsimit 9-vjeçar. Në bazë të kontratës së nënshkruar nga palët, autorët duhet të paguhen 10-20 për qind për çdo libër që del në treg. Pra, nëse një libër kushton 200 lekë, autori merr 20 lekë.
Për sa i përket tirazhit, ai është i ndryshëm nga njëra shtëpi botuese në një tjetër, pasi tregu i librit është i lirë dhe shkolla zgjedh librin që dëshiron. Pra, një libër anglishteje ka dy-tre botime alternative në treg. Pikërisht ky liberalizim ka bërë që autorët të dyshojnë te botuesit për kopjet që shesin. Në rastin konkret, autorja Lita thotë se "shtëpitë botuese janë të predispozuara të deklarojnë më pak tirazh se ç‘prodhojnë në të vërtetë. Një ndër shtëpitë botuese që ajo akuzon për parregullsi është edhe "Pegi". Autorja e anglishtes ka kontratë me këtë shtëpi botuese edhe për librat e klasës së 6,7 dhe 8. Për Anglishten 6, Pegi ka deklaruar të shitura 20 mijë kopje, ndërsa autorja pretendon se ka shitur mbi 35 mijë kopje. Shifra e autores i referohet numrit të nxënësve që përdorin këtë libër. E pyetur nga gazeta "Shqip", botuesja e Pegit, Eglantina Berhani, thotë se "ka qenë transparente me të gjithë autorët e teksteve dhe se tabela e tirazhit u është vënë në dispozicion". Sipas saj, jo të gjithë librat që dalin në treg shiten, kjo jo vetëm për shkak të konkurrencës, por edhe për shkak të fuqisë blerëse. "Autorët e teksteve të anglishtes ngrenë pretendime që nuk qëndrojnë, pasi listat e shitjes janë të hapura për këdo dhe mbi të gjitha për Ministrinë e Arsimit, me të cilën ne kemi kontratë", thotë Berhani, duke shtuar se "nuk ka bërë asnjë abuzim, madje ka paguar siç duhet dy autoret, që për tre libra kanë marrë bashkërisht 7.7 milionë lekë".
Por, ajo çka kërkojnë autorët e librave është pikërisht kontrata e ligjshme. Por, duke qenë se Alterteksti është një reformë e re, që aplikohet prej dy vitesh nga MASH, ende nuk ka marrë formë të plotë. Ministria e Arsimit, e cila është përgjegjëse për librat e shkollës, deklaroi përmes zyrës së shtypit se "ende MASH-i nuk ka një data-base për tirazhin e çdo teksti alternativ që është në treg. Kjo nuk do të thotë se "bordi i teksteve nuk di se sa libra shesin botuesit, pasi këto të dhëna merren nga drejtoritë arsimore, por nuk i ka të renditura siç duhet dhe të përdorshme në çdo moment dhe nga kushdo". Kështu sqaron zyra e shtypit lidhur me këtë temë. Për sa i përket konfliktit konkret, MASH nuk bën asnjë deklaratë, duke pohuar se në botimin e teksteve të shkollës, vetë ministria është palë me botuesit dhe nuk mund t‘iu kërkojë atyre llogari për mënyrën se si i paguajnë autorët e tyre. Gjithsesi, ky është një problem që pret një zgjidhje, pasi tregu i librit të shkollës është i ndryshëm nga tregu industrial apo çdo lloj tregu tjetër në vend. Konfliktet e vazhdueshme mund të çojnë edhe në bojkot. Kjo është deklarata që bëjnë autorët, duke kërkuar t‘i vlerësojnë më shumë për punën që bëjnë. Ata shprehen se do të lobojnë kundra botuesve, pasi janë të shumtë ata që abuzojnë me tirazhin e librave. Këtu autorja Zana Lita përmend shtëpitë botuese: "Albas", "Al-paper", "Pegi" etj.
Premtimi i MASH
Do ndërtojmë data-base
për tirazhin e librave
Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm i autorëve të teksteve për mungesë serioziteti nga ana e botuesve, MASH ka vendosur të ndërtojë gjithë "data-base"-in e tirazhit të librit në vend. Zyra e shtypit tha për "Shqip" se Alterteksti është një reformë e re, që synon liberalizimin e tregut të librit shkollor përmes konkurrencës dhe rritjes së cilësisë së librave. MASH pranon se reforma ka problemet e saj, por është duke "u mbushur" hap pas hapi me rregulla dhe sanksione të reja, për të mos lënë asnjë hapësirë abuzimi. Për sa u përket të dhënave të tirazhit, MASH nuk i ka në formë të rregullt dhe të plotë, ndaj momentalisht nuk u vjen dot në ndihmë palëve të interesuara, por premton se së shpejti do të ndërtojë një softwear të ri për të gjitha të dhënat e librave shkollorë, që botohen të rinj dhe atyre që janë ribotime.