Arrestohen dy të rinj, tentuan të grabisin e vrasin
Policia e Tiranës arrestoi dje paradite Agim Ahmatajn, 26 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për "vjedhje me armë". Arrestimi i tij u realizua pasi u kap në flagrancë në rrugën "Lord Bajron" në Laprakë, duke vjedhur pikën e këmbimit valutor, "Ester", në pronësi të shtetasit Ramazan Qamo. Gjatë momentit të kapjes në flagrancë, 26-vjeçarit iu gjetën dhe iu sekuestruan një kapuç, një pult i derës së pikës së këmbimit valutor, një palë doreza të zeza, si dhe shuma e parave 300 $ dhe 35000 lekësh. Ndërkohë dosjen e ka marrë në ngarkim Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të "Vjedhjes me armë". Ndërkohë, policia e kryeqytetit tha se më datë 6 janar 2008, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të Sokol Dajtit, 33- vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, duke parandaluar kështu një ngjarje kriminale, pasi i sipërcituari ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Olsi Hoxha, ku në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të policisë u mundësua shmangia e një vrasjeje. Dajti, tri ditë më parë, në rrugën "Haxhi Hysen Dalliu", duke qenë në gjendje të dehur ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin Olsi Frederik Hoxha, 18 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta tip "TT" dhe një gëzhojë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën 80 copë fishekë dhe 4 shashka.