E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashuri kineze për Nevil Deden

Kur e shikon Nevil Dedën duke u stërvitur, nuk të shkon mendja se futbollisti ka mbi shpinë 33 vjet. Një "veteran i hekurt", përkufizon trajneri Hafizi. Por kjo që ka ndodhur së fundmi është sfida më e madhe e futbollistit të Kombëtares. Kur të luaj në kampionatin kinez, me atë ekipin e qytetit 2 orë larg Pekinit, diçka do të jetë ndryshe. Kinezët, kur luajnë futboll nuk e shkelin fushën duke ecur, si te ne, por bëhen erë bashkë me topin. Por Nevil Dede u nis pa frikë drejt Lindjes së Largët: "Nuk kam pasur frikë asnjë lloj race, sepse e njoh forcën time". Por si përfundoi Dede në kampionatin kinez? Disa nga shokët e tij bëjnë humor. Tregojnë se i mbyllën sytë para hartës. Disa mendonin se shigjeta do të shkonte në Elbasan, por shkoi aq larg... sa ra pranë murit të madh kinez. Shakaja vazhdon: Sa fat që nuk u ngul në Mongoli! Por donatori Nuri nuk bën shaka kur flet për aventurën aziatike të ikonës bardheblu: "Menaxherët e ekipit kinez e kanë pëlqyer shumë në ndeshjen e Amsterdamit (ku për fat të keq ka bërë edhe autogol në Arena)".

Të duket e pavërtetë, por në këto momente dëgjon "bosët" që flasin me dorë në zemër për mbrojtësin, që askush nuk do të arrijë ta zëvendësojë... Nga kjo dashuri e rrufeshme dhe kjo merkato surprizë, do të kenë harruar që vetëm disa muaj më parë e shpallën Deden si futbollistin fajtor për serialin e humbjeve të kampionëve. Por në futbollin tonë fletët kthehen shpejt, sidomos kur flitet për "merkato bamirësie". Ndaj nuk çuditesh që edhe sot donatorët e Tiranës janë gati të krenohen për Salihin, golat e të cilit e dhuruan në Austri pa fituar investimin e tyre. Më pas erdhi radha e Sinanit, një përcjellje që u shoqërua me ndjenjë keqardhje, kur thonë: "Atij djali i kemi hyrë në hak!" Një e vërtetë e hidhur kur kujton se kampionët të zhgënjyer nga bomberi i sezonit të kaluar, D.Xhafa dhe nga golashënuesi i vitrinës bardheblu, Fortuzi, që të dy së bashku kanë shënuar më pak se shoku i tyre Duro, kërkojnë me ngulm një sulmues... racë goli.

Një vit më parë, si në këtë kohë, kampionët ishin në Turqi, në një qytet malor, që quhej Bulu. Fill pas merkotos, ata dukeshin si një kombëtare tjetër. Kishte vetëm një mollë sherri... shiriti i kapitenit. Një nga ata që e lakmonte fort ishte "kinezi" Dede. Tani që nuk është, siç e kemi zakon, e duan edhe më fort se sa kur e kishin në ekip. Prandaj dhe harrojnë kaq shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›