Berisha urdhëron deputetët të zbresin në bazë
Partia Demokratike i rikthehet militantizmit. Urdhri i Kryesisë së PD-së ka shpërndarë në zonat e tyre elektorale, deputetët e djathtë. Rrugë të shtruara, më pak militantë të papunë, por qoftë edhe një "kafe" me elektoratin është misioni që PD u ka lënë në ngarkim deputetëve të saj. Duket se reformat e mëdha të vendit për rrugën drejt NATO-s do të menaxhohen nga kokat e politikës, ndërsa të vegjlit marrin si detyrë të zbarkojnë në bazë. Lajmi është konfirmuar edhe nga sekretari organizativ i PD-së, Flamur Noka. Lëvizjet e fundit brenda Partisë Demokratike i kanë detyruar të gjithë deputetët e djathtë t‘i tremben asaj çka po ndodh brenda kampit të tyre dhe të vërshojnë të gjithë drejt zonave në të cilat ata janë zgjedhur deputetë. Edhe prologu i fushatës elektorale ka ndarë PD-në në disa kampe për të kontrolluar zonat e tyre elektorale. Kryeqyteti, i cili ka edhe numrin më të madh të deputetëve të përfaqësuar në qeveri ka ngelur në hije nga ministrat e zgjedhur si deputetë në zonën e Tiranës. Vetëm ata që nuk kanë një post ministror kanë mundur të vizitojnë elektoratin e tyre në zonat që pikërisht janë zgjedhur për t‘i përfaqësuar në Kuvend. Për kryeqytetin, përveç selisë blu janë vetëm dy zyra të hapura nga deputetët e Tiranës. Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, është akomoduar me një zyrë pranë Rrugës së Dibrës ku është zgjedhur edhe deputet. Po kështu, pranë Rrugës së Kavajës, gjatë ditëve të mërkura dhe të enjteve qëndron e hapur edhe zyra e Gëzim Karapicit për t‘u njohur me problemet e elektoratit të tij në këtë zonë. Pjesa tjetër e ligjvënësve blu është shpërndarë nëpër rrethe. Ndarja e zonave elektorale në këtë fillimvit nga Kryesia e PD-së ka qenë edhe një tjetër shkak i drekës së organizuar nga Presidenti Topi. Përgatitja e terrenit dhe zbritja në bazë është edhe hapi fillestar se si do të ndahen zonat për deputetë në 2009-ën, ku Kryeministri Berisha duhet me patjetër këtë herë të marrë edhe miratimin e Presidentit Topi për të kënaqur ata të cilët këmbëngulën që ai të shkonte drejt karriges së Presidentit.
Vështirësia me të cilën priten të përballet Berisha me Topin janë rivalizimet brenda PD-së. Përplasjet e fundit në PD dhe ndarja e kësaj partie në disa kampe do të vërë para një debati kritik një pjesë të mirë të deputetëve të djathtë. Ndonëse asnjë nga ministrat nuk ka preferuar të zbresë në zonë për shkak të axhendës së ngjeshur që kanë si anëtarë të kabinetit, Kryetarja e Kuvendit ka nisur turin në zonat veriore të vendit. Takime me elektoratin në Shkodër dhe Mirditë për nënkryetaren e PD-së, Jozefina Topallin. Kjo ka qenë pjesa kryesore e axhendës së kryeparlamentares, dy javë para fillimit të seancave të Kuvendit. Deputeti Aleksandër Biberaj dhe Fatos Hoxha në mungesë të ministrit Jemin Gjana kanë bërë vizita para disa ditësh në zonën e Kukësit ku janë njohur me problemet e qytetarëve në këtë zonë. Zgjidhja e problemeve në zonën e Vlorës kanë takuar shpesh kohët e fundit kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi dhe deputetin e Vlorës, Bujar Leskaj. Gazmend Oketa dhe Ferdinand Xhaferraj kanë nisur takime në zonën e Durrësit. Vetëm dy ditë më parë, zv/kryeministri zbarkon me një "ushtri" deputetësh në zonën në të cilën është zgjedhur deputet. Ndërsa nisja e fushatës elektorale ka nisur, në fillim të vitit 2008 u premtua edhe rinovimi i strukturës së partisë më të madhe në pushtet. Tema më e debatuar deri tani është ajo për ndarjen e posteve partiake nga ato qeveritare dhe rikthimet e ish-deputetëve të dikurshëm të kësaj partie në postet më të larta drejtuese të saj do të sjellë konflikte të pashmangshme mes radhëve të deputetëve të djathtë dhe atyre që aktualisht punojnë për Partinë Demokratike. Ideja për ndarje postesh partiake nga ato ministrore ka vënë në ethe anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët janë pjesë e strukturës së PD-së.