E hëna e "Onufrit"
Edhe pse galeria ende nuk e ka bërë publike jurinë e këtij aktiviteti, ajo pritet të mbërrijë sot, për t‘u njohur më nga afër me punët. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit është shtuar dhe një çmim, ai i "Artotekës". I dhënë nga një rezidencë me të njëjtin emër në Romë, ky çmim i ofron artistit fitues një rezidencë disamujore në vendin fqinj. Nën moton "Bërë me tradhti", sipas konceptit kuratorial të poetit Ervin Hatibi dhe zv/drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shimës, ky edicion synoi të sillte një zhbirim brenda gjendjeve që krijohen mes artistit dhe punës. Dy kuratorët kanë shpjeguar se koncepti "Bërë me tradhti" është bazuar në një lexim tendencioz të mitit të Pigmalionit, i cili kërkon të nënvizojë tensionin e pashmangshëm që shoqëron përballjen e artistit me veprën, kodet komunikuese, shoqërinë dhe anasjelltas. Edicioni i sivjetmë shoqërohet nga një ekspozitë paralele me vepra të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, me titull "Nën emër të popullit", ku shfaqen dekolazhe tradhtish ose heroizmash nga historia e popullit shqiptar në shekuj. Është interesante të shohësh mënyrën sesi ka operuar arti gjatë komunizmit, sesi tradhtohej me mënyrën, sesi konceptohej "imperializmi amerikan", tepër i dëmshëm për Shqipërinë "e përparuar komuniste". Për Rubens Shimën, kjo ekspozitë kërkon të tregojë se tradhtia nuk është një ndjesi e re në art apo në jetë. Por dhe në kohëra të tjera njerëzit kanë tradhtuar me mënyrat e tyre, me të njëjtën dashuri siç kanë bërë pikturat.
Ndërsa Hatibi, teksa tregon konceptin disi romantik të këtij edicioni, thotë se një nga dashuritë e ndaluara më tragjike e të pamundura gjatë gjithë historisë, jo vetëm njerëzore, na vjen pikërisht nga Qipro. Nuk bëhet fjalë për ndoca Romeo/Zhuljeta të zakonshme të ishullit të ndarë (se pse vallë Zhuljeta nuk duhet të jetë detyrimisht o turke, o greke, o turiste, këtë do ta mësojmë pak më vonë), po mjaftohemi të përmendim në mënyrë kuptimplotë Pigmalionin, skulptorin që ra keqas në sevda me skulpturën e vet, Pigmalionin, Artdashësin e Parë në kuptimin mjekësor të një vepre. Por cilët janë artistët që kanë zgjedhur të ecin nën gjurmët e Pigmalionit dhe të sjellin "tradhtitë e tyre të vogla" në këtë eveniment. Ashtu si çdo vit, edhe këtë edicion nuk munguan artistët jashtë hapësirës sonë. Nga Italia erdhën artistë si Acone, Luca Bolognesi, Bruno Muzzolini. Nga Gjermania kanë ardhur artistë si Achim Maximilian Naumann d`Alnoncourt, Shqipëria përfaqësohej nga Gent Gjokola, Gent Gjikopulli, Lad Myrtezai, Najada Hamza, Alban Hajdinaj, Adrian Isufi, Idlir Koka, Gent Korini etj. Nga Serbia erdhi Miodrag Krkobabic. Po kështu, nga Argjentina erdhi artisti Alek O. Edhe pse vetë Galeria e Arteve e quan këtë event si një nga prodhimet më të rëndësishme të saj, këtë vit ky aktivitet duket se nuk e ka gjithë vëmendjen e saj, duke u nisur që nga hapësira në të cilën janë vendosur punët. Ajo që shihet tashmë, që na ndajnë vetëm disa ditë nga mbyllja e "Onufrit", është një lloj heshtjeje me të cilën është mbuluar aktiviteti.