Rikthehet "Pamje nga ura"
"Pamje nga ura", një nga shfaqjet më të ndjekura të Teatrit Kombëtar me regji të Albert Mingës, do të hapë sezonin artistik të TK-së. Nga data 17-18-19 janar ajo do të ngjitet çdo mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar. Me regji të Albert Mingës, në këtë shfaqje interpretojnë aktorë si Timo Flloko, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fatos Sela, Indrit Çobani. E konsideruar si një vepër e vështirë, ajo mundi të ishte një nga pjesët më produktive të vëna në skenën e teatrit kohët e fundit. Miler pati sukses në teatrin shqiptar, ndoshta dhe për problematikën e ngjashme me jetën tonë, që vepra përcjell. Kjo është një nga dramat që ka arritur një rekord shikuesish, duke konfirmuar një sukses për regjisorin dhe aktorët që interpretuan. E shkruar nga dramaturgu amerikan në vitin 1950, në kohën e Luftës së Ftohtë, me idenë e një skenari filmi, por që nuk u realizua, ajo është historia e emigrantit Edi Karbones në Nju-Jork, i cili, duke pasur një jetë të pasigurt rrezikon familjen, miqësinë apo edhe fqinjësinë.
Duke pasur si kryefjalë trajtimin e temës së emigracionit dhe të integrimit të njerëzve në kultura dhe vende shumë larg origjinës së tyre, duke pasur në sfond një Nju-Jork, në këtë situatë shpërthen dhe pasioni shkatërrues e i papajtueshëm me çdo parim moral i Edi Karbones. Brishtësia e pasionit dhe lakmia për interes, i detyrojnë personazhet e kësaj vepre të ndërmarrin një sërë vendimesh ekstreme, që pasqyrojnë shpirtin e vendit nga vijnë dhe të vendit në të cilin do të ëndërrojnë e do të vuajnë si emigrantë. "Gjithmonë kam menduar se rasti i Edi Karbones, i frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë, do të kuptohet nga kushdo dhe të them të vërtetën, me kalimin e viteve kam parë me kënaqësi që drama ime, ‘Pamje nga ura‘, është vënë në skenë vazhdimisht nga regjisorë dhe aktorë që vinin nga vende dhe kultura të ndryshme. Ky fakt më ka dhënë kënaqësinë të mendoj se interesi i vazhdueshëm ndaj kësaj vepre, është tregues i universalitetit të temës që ajo trajton", është shprehur Artur Mileri."Pamje nga ura" dhe pse u vu në skenë nga një regjisor që nuk kishte eksperiencë në teatër është një nga shfaqjet më të komentuara në shtyp me pozitivizëm. Po cila është historia e kësaj drame? Në fakt, Edi Karbone është ndoshta një nga personazhet më kompleks milerian. Tek ai janë të përzierë në mënyrën më të çuditshme dhe të pashpjegueshme dritë-hijet e shpirtit mashkullor sicilian. Ai përpiqet me mish e me shpirt ta rrisë sa më mirë Ketin, mbesën e gruas së tij, por nuk arrin të kuptojë që ajo është rritur dhe tanimë ka të drejtë të vendosë vetë për të ardhmen e saj. Çmenduria apo pasioni për të mbesën, e detyron të bëjë veprimin më të dënueshëm: të denoncojë para Autoriteteve të Emigracionit, Rodolfon dhe Markon. Është ky veprim, i cili do të përcaktojë përfundimin tragjik të tij. Në finale do të përballet me Markon në duel. I vetëgoditur për vdekje, ai do të japë frymën e fundit në krahët e së shoqes! Jo pa dhembje e me një trishtim që të prek shpirtin, dramaturgu gjenial, Artur Miler, na kujton se të gjithë jemi lënë në "mes të rrugës"… Kritika ka ngritur interpretimin e shkëlqyer të aktorit Timo Flloko në rolin e Karbones, si dhe interpretimet e aktorëve të tjerë. E vënë në skenë 44 vjet përpara nga regjisori i njohur Pirro Mani, mundi që në rikthimin e saj në të njëjtën skenë të ishte e suksesshme.