Reagim i PEN-it, Qendrës së Kosovës
Shkrimtarët, përkthyesit, publicistët e botuesit, anëtarë të PEN-it, Qendrës së Kosovës, kanë reaguar nëpërmjet një deklarate, ku dalin në përkrahje të letrës, që një grup intelektualësh i dërguan disa ditë më parë Presidentit të Republikës. Në deklaratën e nisur, thuhet se "PEN-i përkrah kolegët e tyre në Tiranë në reagimin ndaj ngarkesave fiskale që qeveria synon të vërë mbi librin". "Kërkojmë nga të gjithë faktorët qeveritarë në Shqipëri, si dhe nga homologët e tyre në Prishtinë, Shkup e Podgoricë, që të çlirojnë librin shqip nga ngarkesat fiskale, nga taksat doganore dhe të mundësojnë qarkullimin e lirë të librit shqip në të gjithë hapësirën kulturore shqiptare. Është arritur me vështirësi të madhe nga botuesit shqiptarë që, si kurrë më parë, libri shqip të qarkullojë i papenguar tashmë nga kufizimet politike që e ngarkonin në të shkuarën", thuhet në deklaratë. Më tej, nënvizohet se do të ishte dëm i madh që këtë qarkullim të lirë ta ndalonin apo ta vështirësonin tani ngarkesat e papërballueshme fiskale e doganore. Kjo deklaratë mban firmën e kryetarit të kësaj qendre, poetit Basri Çapriqit.