E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Jemi kundër "skemës së kafshatës"

"Duhet të ndjekim një politikë të re sociale që të jetë e barabartë për të gjithë, pa diskriminime dhe pa dallavere". Kjo ka qenë thirrja që ka bërë paraditen e sotme kryesocialisti Edi Rama në një takim me simpatizantë të së majtës në Fier, kryesisht të moshës së tretë. Kanë qenë veteranët, pensionistët dhe militantët socialistë të Fierit ata që kanë pritur dhe takuar Ramën, duke zhvilluar kështu takimin e dytë me bazën socialiste pas takimit të mëparshëm në Elbasan nën moton "Dialog me Shqipërinë". Pas Elbasanit, ku Rama ka ritheksuar edhe më fuqishëm se PS-ja është e vendosur që në rast se fiton zgjedhjet e vitit 2009 nuk do të ndjekë më skemën e përkrahjes sociale, por do të mundohet që të gjejë një zgjidhje të barabartë për të gjithë shtresat në nevojë, të njëjtin premtim ka bërë edhe në Fier për veteranët, pensionistët dhe simpatizantët që kanë qenë vizitorët e takimit të tij, i cili ka qenë i shoqëruar nga kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj, kryetari i PS-së dega Fier, Arjon Muçaj, dhe deputeti i Fierit Albert Çaçi. Vetë Rama në fjalën e tij ka theksuar se skema e trajtimit ekonomik për familjet në nevojë është parazitare dhe se ajo jo vetëm që nuk i ndihmon këto familje për të dalë nga gjendja e vështirë, por shpërndan edhe më tej varfërinë. Për këtë arsye ai ka theksuar se e majta, kur të vijë në pushtet, do të praktikojë skema të tjera, si ajo e kualifikimit dhe punësimit të njerëzve, natyrisht duke hapur vende të reja pune.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›