E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër dëshmi për tragjedinë e Farkës

Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për tragjedinë e Farkës 24 orë pas ngjarjes, megjithëse verifikimet paraprake të policisë kanë konstatuar se bëhet fjalë për një aksident. Grupi hetimor do të përqendrohet te dëshmitë e të mbijetuarve: Luena Spahiu, Romina Hysa, Beqir Sinani dhe Erjona Dibra, vajza e pronarit, e cila mundi të shpëtonte dy vajza. Me urdhër të drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës, policia ka dërguar në prokurori deklarimet paraprake që po publikohen më poshtë, të të mbijetuarve dhe të dëshmitarëve okularë. Megjithëse tregojnë me detaje, grupi hetimor deklaron se dëshmitë janë konfuze dhe shpeshherë ka mospërputhje për shkak të gjendjes në të cilën kanë qenë. Për të verifikuar plotësisht tragjedinë, të mbijetuarit do të merren sërish në pyetje nga prokurorët, në prani edhe të psikologëve.

Dëshmia e Luenës

Luena Spahiu është vetëm 13 vjeçe. Ka arritur t‘i shpëtojë tragjedisë falë ndihmës së Erjonës, vajzës së pronarit të lokalit. Gjatë deklarimeve në polici, të cilat po verifikohen nga grupi hetimor i prokurorisë, Luena ka deklaruar se asnjë nuk donte të udhëtonin me një varkë, por pronari ka këmbëngulur se nuk kishte rrezik. Më pas vijon se pasi kishin përshkruar disa metra, varka filloi të fuste ujë. Megjithatë, pronari Afrim Dibra këmbëngulte se gjendja nuk është serioze, pasi edhe herë të tjera kishte ndodhur një situatë e tillë. Prokurorët e çështjes kanë në dorë dëshminë e të miturës, e cila në polici është shfaqur disa herë kontradiktore. Megjithatë, ajo ka rrëfyer edhe mënyrën e përmbysjes së varkës, duke kujtuar disa momente. Sipas akuzës, 13-vjeçarja ka pohuar se është hedhur në ujë nga nëna e saj, e cila më pas ka tentuar të shpëtojë edhe Arlindin. Por gjithçka ka qenë e kotë, pasi varka i ka zënë në ujë, duke u shkaktuar vdekjen. Ajo ka treguar për policinë se ka notuar disa metra së bashku me kushërirën Romina dhe më pas ka mbërritur vajza e pronarit, e cila i ka tërhequr prej flokësh në drejtim të varkës.

Ngjarja, sipas Rominës

Megjithëse e traumatizuar, siç shkruhet në procesverbalet e policisë së Tiranës, të depozituara në prokurori, e mbijetuara e dytë, Romina Hysa, 17-vjeçarja nga Berati, ka përshkruar me pak fjalë tragjedinë ku humbi pjesëtarët e familjes. Sipas saj, të afërmit e kanë shtyrë në ujë për shkak të rrëzimit të varkës. Me të njëjtin përshkrim si kushërira e saj Luena, Romina deklaronte se në fillim po diskutonin nëse varka i merrte të gjithë apo jo. Pronari ka këmbëngulur se nëse balancohet varka, atëherë është e mundur. Sapo kanë përshkruar disa metra, varka po fuste ujë, dhe "udhëtarët", sipas Rominës, i kanë bërë me dije Afrim Dibrës se ishte i pamundur udhëtimi në këtë varkë. Por përsëri morën një tjetër konfirmim, sipas të cilit nuk ishte asgjë serioze. Pas disa çastesh ka ndodhur edhe përmbysja e varkës. Romina ka deklaruar në polici se vajza e pronarit i ka shpëtuar duke e tërhequr në mjetin lundrues. Më pas kanë komunikuar me punonjësit e policisë, ku kanë dhënë edhe deklarimet e para.

Deklarimet e Beqirit

Para agjentëve të Komisariatit të Policisë Nr.1, Beqir Sinani, një nga të mbijetuarit e tragjedisë, ka pohuar se edhe ai nuk ka qenë dakord që në varkë të hipnin 19 persona. Ka pohuar se është e patolerueshme që në një mjet lundrues me kapacitet tetë persona të udhëtonin 19 të tillë. Megjithatë është qetësuar kur ka dëgjuar nga goja e pronarit Afrim Dibra se edhe ai do të udhëtojë me ta dhe se nuk ishte hera e parë që e bënte këtë rrugë. Beqiri vazhdon në deklarime se në fillim varka po merrte ujë dhe më pas është anuar. Disa çaste më vonë ai është rrëzuar dhe varka është përmbysur. Në deklarime, i mbijetuari thotë se ka tentuar të shpëtojë dy nipërit e tij binjakë, Ejsin dhe Rein, por ka qenë e kotë. Më pas ka dalë në breg, duke pritur forcat e policisë. Në procesverbalin e policisë shkruhet se Beqiri ka tentuar të vetëmbytet pas humbjes së njerëzve të afërt.

Kontradiktat e Erjonës

Një ndër personat që ka parë të gjithë skenën e mbytjes është 19-vjeçarja Erjona Dibra, vajza e pronarit Afrim Dibra. Duke parë ngjarjen e rëndë, 19-vjeçarja është shfaqur konfuze para inspektorëve të policisë. Fillimisht ka deklaruar se ishte në të njëjtën varkë me babain e saj dhe viktimat dhe më pas është kujtuar se i ka ardhur në ndihmë disa zërave nga liqeni që kërkonin ndihmë. Në dosjen e dorëzuar në prokurori nga policia shkruhet se Erjona ka treguar disa detaje për ngjarjen. Sipas saj, disa zëra ishin dëgjuar në liqen. Pas kësaj mori një varkë dhe u nis nga personat që kërkonin ndihmë, duke arritur të shpëtojë dy vajza.

Familja Dibra:

"Klientët kërkonin ndihmë

edhe kur nuk kishte rrezik"

Një dëshmi kontradiktore është shënuar në procesverbalet e organit të akuzës. Familja Dibra, e cila humbi kryefamiljarin, ka deklaruar se klientët që darkonin në lokal kërkonin shpesh herë ndihmë edhe në rastet kur nuk kishte rrezik. Sipas dëshmive, në momentin e tragjedisë është dëgjuar një thirrje, por fillimisht nuk është marrë seriozisht. Më pas vajza, duke parë vonesën e të atit ka dalë në verandë, duke dëgjuar të tjera ulërima. Ka marrë urgjentisht një varkë tjetër dhe është nisur në vendin e ngjarjes, ku ka mundur të shpëtojë dy vajza. I kapi prej flokësh dhe i tërhoqi te varka. Eci duke i dhënë varkës me dorë dhe arriti në breg, ku e prisnin disa banorë të zonës.

Luena Spahiu

Është vetëm 13-vjeçe. Ka notuar për disa metra dhe është shpëtuar nga vajza e pronarit

Romina Hysa

Është 17-vjeçe. Ka humbur në tragjedinë e Farkës të gjithë familjen: babain, nënën dhe vëllain

Erjona Dibra

Është 19-vjeçe. Në tragjedi humbi babain e saj, pronarin e lokalit "Liqeni" në Farkë

Beqir Sinani

28 vjeç, ka "luftuar" me shpirt për të shpëtuar dy nipërit e tij binjakë, Ejsin dhe Rein

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›