E Diel, 1 Nëntor 2026

Katolicizmi, feja kryesore pas konvertimit të Toni Bler

Konvertimi në katolik i ish-kryeministrit Toni Bler nënkupton se ai tashmë është anëtar i kategorisë më të njohur katolike në Britaninë e Madhe, bëhet e ditur sipas një studimi fetar të publikuar dje. Pavarësisht nga ndarja zyrtare me Vatikanin gjatë sundimit të Henrit VIII, më shumë se 400 vjet më parë, duke vendosur dominimin e anglikanizmit dhe kishës së Anglisë, katolicizmi tani është feja më e praktikuar në Britani. Një studim i kryer nga grupi "Studimi Kristian" dhe i publikuar në gazetën "Sunday Telegraph", tregonte që afro 862000 besimtarë merrnin pjesë në meshat katolike çdo javë në vitin 2006, duke kaluar numrin e 852000 besimtarëve që merrnin pjesë në shërbesat e kishës së Anglisë. Pjesëmarrja në shërbesat anglikane është pothuajse përgjysmuar gjatë 40 viteve të fundit, pasi pjesa më e madhe e vendit po shkon drejt laicizmit, tregonte studimi. Edhe pse shifrat e pjesëmarrjes si për shërbesat fetare katolike, ashtu edhe për ato anglikane, janë në rënie të vazhdueshme, numri i katolikëve po ulet më me ngadalësi me mbërritjen e emigrantëve të rinj nga Evropa Lindore dhe disa pjesë të Afrikës, duke rritur në këtë mënyrë kongregacionet katolike. "Kur një ish-kryeministër kthehet në katolik, ky duhet të jetë një sinjal se katolicizmi po fuqizohet sërish në këtë vend", shkruante në "Daily Telgraph" redaktorja e së përjavshmes fetare, "The Tablet", Katerina Pepinster. "Do të shpresoja që katolikët e tjerë të mirëpresin Toni Blerin në kishë, sikurse kanë vepruar me të tjerë që kanë përqafuar këtë besim", shkruante ajo. Bler, i cili tani mban detyrën e të dërguarit ndërkombëtar për paqen në Lindjen e Mesme, nuk është personi i parë i famshëm që kthehet në katolik. Shkrimtari Evelin Waugh, i biri i një kleriku anglikan, u konvertua në vitet ‘30 dhe novelisti Graham Grin ishte një person i famshëm i kthyer në katolik, megjithëse në veprat e tij ndjejmë shpesh dyshimin e tij lidhur me besimin fetar. Konvertimi i Blerit pritej prej një kohe të gjatë, pasi bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij praktikojnë besimin katolik, por kjo nuk ka kaluar pa kritika. Në kohën kur mbante ende postin e Kryeministrit, deri në qershor të këtij viti, Bleri shpesh kishte shprehur mbështetjen e tij për studimet shkencore mbi qelizat bazë, mbështeste partneritetin civil të çifteve të së njëjtës gjini dhe kishte votuar në favor të abortit, të gjitha çështje ndaj të cilave kisha katolike ka një qëndrim kundërshtues. Politikanët, ndër ta edhe disa prej atyre të kthyer në katolikë, nuk vunë në diskutim sinqeritetin e konvertimit të Blerit, që ndodhi dy ditë më parë në një ceremoni private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›