Krishtlindjet, mbretëresha, urim në YouTube
Edhe Mbretëresha Elisabetë zbarkon në YouTube. Në fakt, ditën e Krishtlindjeve, sovrania britanike do të shfrytëzojë për të parën herë edhe një kanal të sajin në internet për të uruar nënshtetasit e saj. Fjalimi i saj i përvitshëm me rastin e Krishtlindjeve, do të mund të shikohet në rrjet nga ora 15:00 e 25 dhjetorit. Në të njëjtën kohë është lajmëruar edhe inaugurimi i "Royal Channel" në YouTube, ku mund të gjendet edhe fjalimi i parë i Krishtlindjeve, i mbajtur nga Mbretëresha në 1957-ën. Thuhet se Mbretëresha Elisabetë është e pasionuar pas teknologjisë së re e të avancuar. E për më tepër dëshiron të përdorë mjetet më të përshtatshme të komunikimit për të qëndruar në kontakt me njerëzit. Me këtë iniciativë të fundit, mesazhi i saj i urimit do të jetë më i prekshëm.