E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi pushton urgjencat e spitaleve, autoritetet nuk pranojnë epideminë

Dyshohet për gripin që ka përfshirë vendin prej më shumë se një muaji e gjysmë. Ndërsa, përfundimi i analizave të kampionëve nga i gjithë vendi, në laboratorët e Institutit të Shëndetit Publik, nuk ka përfunduar ende. Zyrtarisht spitali "Nënë Tereza" konfirmon se nuk është epidemi, por virozë. Ndërsa çdo ditë në urgjencat e këtij spitali, si të rritur ashtu edhe pacientë të vegjël, kërkojnë ndihmë të specializuar për temperaturë të lartë, shqetësime gastro-intestinale, dhimbje fyti apo bllokime respiratore. Mesatarisht, çdo ditë, në urgjencën e infektivit paraqiten 80-100 raste pacientësh të rritur me simptomat e "gripit 2007-2008". Po ashtu, në urgjencën e pediatrisë çdo ditë paraqiten nga 200-250 pacientë të vegjël. Sipas mjekëve dhe, specialistëve infeksionistë, epidemi quhet kur viroza e stinës prek më shumë se 500 pacientë çdo ditë. Sipas tyre, fluksi i të sëmurëve, që paraqiten në urgjencën më të madhe të vendit, shkaktohet pasi qytetarët nuk e zbatojnë sistemin e referimit, ndërsa një pjesë tjetër nuk paraqiten fare te mjeku, duke konsumuar ilaçe vetëm me rekomandimin e farmacistit.

Simptomat e para të kësaj viroze janë dhimbje të forta koke, temperaturë të lartë dhe shqetësime gastrointestinale. Por, temperatura është një shenjë treguese e kësaj viroze, temperatura 39 gradë. Ka raste kur ka edhe probleme pulmonare, që zakonisht në pamje të parë është e ngjashme me problemet e astmës, megjithëse ka ndryshime nga kjo sëmundje. Shoqërohet me të vjella, me rrufë, dhimbje fyti, pacienti ka kollë të thatë, lotim të syve, por mbi të gjitha temperaturë shumë të lartë. Ndihma e parë duhet të kërkohet te mjeku i familjes. Por, një nga metodat "shtëpiake" që mjekët këshillojë për temperaturën e lartë është banja me ujë të ngrohtë, zakonisht në temperaturën e ambientit.

Virusi ka prekur kryesisht fëmijët dhe moshën e tretë, por një kategori me risk të lartë kanë qenë edhe pacientët me sëmundje kronike. Grupmoshat më të prekura kanë qenë nga 5 deri në 14 vjeç. Konkluzioni i dhënë nga specialistët ka sqaruar se shtimi i rasteve të të prekurve nga sëmundjet respiratore ka ardhur edhe si pasojë e qarkullimit të disa llojeve të tjera virusesh, që prekin kryesisht rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›