Rotacioni, Shalsi dhe Bizhga ndryshojnë postet
Reforma e re strukturore, e prezantuar nga kryebashkiaku Edi Rama, që në fund të vitit 2007 ka nisur me një rotacion në postet kryesore drejtuese të Bashkisë së Tiranës. Eduard Shalsi është prezantuar dje nga vetë Rama, si nënkryetari i ri i bashkisë kryeqytetase. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Vali Bizhgën, e cila do të marrë postin e drejtimit të kabinetit, në funksion të një strukture që do të organizohet tërësisht.
Gjatë një konference, Rama u shpreh se "reforma e thellë strukturore që ishte dhe objekt i punës së gjashtë muajve të dytë të vitit, që shkoi u bazua në një analizë të thellë të sistemit funksional të institucionit, analizë që na dha konkluzione shumë të rëndësishme për mënyrën se si institucioni mund të ngrihet në një nivel të ri dhe mund të prodhojë rezultate të reja, gjë që ua detyrojmë bashkëqytetarëve tanë dhe që është në esencën e filozofisë time drejtuese, pra ndryshimi i vazhdueshëm në radhë të parë përmes vetëndryshimit të vazhdueshëm". Sipas Ramës, ka filluar faza e vendosjes së njerëzve në pozicionet e reja të strukturës së re, e cila mori edhe miratimin e Këshillit Bashkiak në fund të vitit të shkuar. "Kjo është një reformë rrënjësore që ka si synim transformimin e mëtejshëm të kryeqytetit dhe vetëdijen se ky transformim mund të bëhet i mundur vetëm duke i dhënë makinës sonë fuqi të reja", theksoi Rama.