E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: 1 polic në çdo kilometër

Kryeministri Sali Berisha i ka rekomanduar Policisë së Shtetit, në analizën vjetore të saj, masa për aksidentet rrugore në aksin Fushë Krujë-Lezhë, ku ditët e fundit kanë humbur jetën disa persona. Ai ka propozuar që në çdo kilometër rrugë në këtë aks të vendoset një punonjës policie. "Nuk jam dakord me situatën aktuale në rrugën Fushë Krujë-Lezhë, segment që shqiptarët e quajnë segment të vdekjes. Sikur në çdo kilometër të vendosim një punonjës policie për të siguruar jetë!", është shprehur shefi i mazhorancës. Më tej, Kryeministri ka vijuar me problemin në fjalë, duke premtuar se qeveria që drejton është e gatshme të ndihmojë me çdo mjet Policinë e Shtetit për të parandaluar aksidentet e shumta në "rrugën e vdekjes". "Do t‘ju ndihmojmë me të gjitha mjetet që të ndryshojë situata aktuale. Rruga është bërë problem kombëtar. Gjendja duhet të ndryshojë me shpejtësi të madhe", tha Berisha.

Krahas kritikave për aksidentet rrugore, Kryeministri shprehu vlerësim të madh për punën e çmuar të Policisë së Shtetit. "Në qoftë se Shqipëria ka ndryshuar, ju me kurajën, me përkushtimin dhe me ndershmërinë tuaj, keni qenë ndër vektorët kryesorë të këtij ndryshimi. Ju ia keni dalë që me përkushtim të madh, me trimëri dhe kurajë të përballeni me organizatat kriminale më të rrezikshme dhe më të fuqishmet në Evropë; t‘i shpartalloni ato, t‘i vendosni para ligjit dhe t‘u ktheni qytetarëve shqiptarë sigurinë e jetës, pronës, veprimtarisë që ata meritojnë. Në dy vite, sot ju mund të krenoheni për punën e bërë, Shqipëria ka ndër treguesit më të mirë të luftës kundër kriminalitetit", u shpreh Kryeministri. Ndërkohë që për vitin në vazhdim shefi i qeverisë i kërkoi drejtorit të Policisë së Shtetit të dorëzojë të gjitha dosjet e qeveritarëve vendorë në prokurori, të cilët janë të implikuar me afera korruptive. Berisha i kërkoi policisë ndëshkimin edhe të punonjësve të policisë.

Ndërkohë, në analizën vjetor të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë, krahas Kryeministrit edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zëvendësministri i Brendshëm Gent Strazimiri, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, si dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme. Nishani vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit si dhe siguroi se për vitin 2008 policia do të jetë më e fokusuar për të luftuar korrupsionin me tolerancë zero. Ndërkaq, prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pasi përgëzoi rezultatet e punës së policisë, kërkoi më shumë angazhim nga policia gjyqësore, kryesisht në mbledhjen e provave në vendin e ngjarjes.

Në fillim të analizës, kryekomisar Ahmet Prençi lexoi rezultatet e Policisë së Shtetit gjatë vitit 2007 dhe prioritetet kryesore të punës gjatë vitit 2008. "Gjatë ‘07-ës janë evidentuar 9888 vepra penale, zbuluar 7830 ose 80% e tyre. Është rritur numri i veprave penale të evidentuara dhe është rritur forca zbuluese", tha Prençi. Në lidhje me goditjen e grupeve kriminale, drejtori i Përgjithshëm pohoi se gjatë vitit 2007 janë zhvilluar 64 operacione policore. "Më konkretisht janë goditur 131 grupe kriminale me 503 të arrestuar, 16 grupe për krime të rënda me 63 të arrestuar, 48 grupe për korrupsion dhe krim ekonomiko-financiar me 220 të arrestuar, 36 grupe për trafik droge me 149 të arrestuar, 31 grupe për trafiqe të paligjshme me 271 të arrestuar", nënvizoi Prençi.

Prençi

Prioritetet e policisë

gjatë vitit 2008

Prioritetet e Policisë së Shtetit për vitin 2008 janë: thellimi i luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, e në veçanti kundër trafiqeve të paligjshme, do të jetë synimi kryesor i Policisë së Shtetit, gjithashtu dhe rritja e standardeve të shërbimit të policisë kufitare nëpërmjet menaxhimit të integruar të kufijve, forcimi i marrëdhënieve me komunitetin, me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe me subjektet e ndjekjes penale, për përmirësimin e vazhdueshëm të parametrave të rendit e sigurisë publike dhe sidomos për parandalimin e veprave penale e shkeljeve të tjera të ligjit, marrja e masave të plota dhe forcimi e bashkëpunimi me strukturat e tjera, për rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e shkeljeve të qarkullimit rrugor etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›