Edi Rama, 250 udhëtime në qytete e fshatra të vendit
Edi Rama është personazhi që brenda një viti ka shkelur më shumë se kushdo tjetër fshatrat e Shqipërisë. Ajo çka është cilësuar "politikë e re" e ka detyruar kreun e Partisë Socialiste që gjatë vitit që po mbyllim t‘i përkushtohet bazës dhe takimeve me zgjedhësit. Rezulton të ketë kryer 60 udhëtime nga Tirana në rrethe në kuadër të turit "Dialog me Shqipërinë". Ndërsa numri i fshatrave ku ai ka shkelur shkon disa herë më shumë se ai i udhëtimeve me nisje nga kryeqyteti. Në total, lideri i opozitës në vitin 2007 ka realizuar tetë vizita zyrtare jashtë Shqipërisë.
Turi
Muaji janar i këtij viti rezulton të ketë qenë mjaft i ngjeshur në axhendën personale të Ramës. Në këtë periudhë ai ka realizuar 14 vizita në rrethet; Berat, Elbasan, Kukës, Dibër, Pogradec, Korçë, Durrës, Lushnje, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë. Në të njëjtin ritëm duket të ketë qenë muaji shkurt për Ramën, i cili ka udhëtuar drejt Patosit, Urës-Vajgurore, Vorës, Poliçanit, Laçit, Elbasanit, Lushnjës, sërish në Elbasan, Lezhë dhe Mamurras. Në muajin mars nuk është realizuar asnjë udhëtim zyrtar në qytetet e Shqipërisë. E varfër duket axhenda politike edhe në muajt prill, qershor e korrik, ku janë zhvilluar përkatësisht vetëm nga një takim. Pas krizës së Presidentit, takimet elektorale janë shtuar, dhe në muajin nëntor e dhjetor kanë arritur sërish në shifra të larta dhe rekord. Qyteti ku kreu i socialistëve rezulton të ketë vizituar më shpesh gjatë këtij viti është Fieri me rreth 7 herë. Pas tij vijnë udhëtimet drejt Shkodrës, Lushnjës dhe Elbasanit. Në qytetin bregdetar të Durrësit, Rama ka qenë 2 herë dhe në Korçë rreth tre katër herë.
Largimet
Për sa i takon vizitave zyrtare jashtë Shqipërisë, Rama i ka filluar me Italinë. Ai zhvilloi takime me ministrin e Jashtëm të Italisë, D‘alema, dhe sekretarin e DS-së, Fasino. Më 28 shkurt kreu i socialistëve ka udhëtuar drejt Vjenës, ku realizoi takime me ekspertë ndërkombëtarë për hartimin e programit të ri qeverisës të socialistëve. Gjermania është ndalesa e radhës për Ramën, i cili ka qenë atje më datën 16 mars. Në këtë vizitë u realizuan takime me kreun e grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, Martin Schulz. Më 16 maj në Beograd, ai ka takuar Hannes Swoboda dhe Poul Nyrup Rasmussen, President i PES, Boris Tadic, Presidentin e Serbisë si dhe personalitete të tjera të së majtës evropiane, në kuadër të "paktit ballkanik" që partitë e majta nënshkruan për nxitjen e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Pas Beogradit, Rama ka shkuar më 7 shtator në Kosovë, ku zhvilloi takime me Kryeministrin Agim Çeku, kreun e PDK-së, Hashim Thaçi etj. Më 1 tetor Rama ishte në Bruksel, një vizitë disaditore, ku u takua me përfaqësues të lartë të Parlamentit Evropian si dhe disa ekspertë ndërkombëtarë në fushën e politikave publike. Më 2 tetor, kreu socialist ishte në Gjermani, në takim me kryetarin e Partisë së Gjelbër. Më 25 tetor Rama mori pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate Gjermane.