Civici: Qeveria nuk po menaxhon dot ekonominë
Ekonomistja e LSI-së, Adriana Civici, shprehu dje shqetësim lidhur me rritjen drastike të çmimeve të produkteve bazë. Ajo vuri në dukje rritjen drastike të çmimeve të produkteve bazë, e cila është tepër evidente dhe një barrë e rëndë për konsumatorët shqiptarë gjatë këtij fundviti. "Me gjithë deklaratat e qeverisë në fillim të këtij muaji për shtimin e kontrolleve nga organet tatimore ndaj tregtarëve, çmimet kanë arritur nivele rekord, duke prekur jo vetëm shtresat në nevojë dhe pensionistët, por edhe qytetarët me të ardhura mesatare", sqaroi Civici. Duke shtuar se mjaft prej tyre kanë hequr dorë nga konsumi i produkteve tradicionale të festave të fundvitit. "Kjo situatë dëshmon edhe një herë për paaftësinë e organeve shtetërore për të menaxhuar krizën e rëndë të çmimeve", thekson LSI-ja. Për të cilën rritja nuk shkaktohet vetëm nga inflacioni i importuar dhe kriza energjetike, por dhe nga veprimet spekulative të tregtarëve, ndaj të cilëve nuk po rezulton asnjë impakt pozitiv i deklaratave dhe aksioneve të qeverisë. Civici vlerësoi se kjo krizë bashkëshoqëron një sërë fenomenesh negative mjaft të mprehta gjatë vitit 2007, siç janë mosrealizimi i investimeve, politikat e tatimit mbi të ardhurat, që përfaqësojnë një masë thjesht për mbushjen e arkës së shtetit, duke rënduar klimën e biznesit. Duke marrë shkas dhe nga deklarata më e fundit e FMN-së, LSI-ja konstatoi se ajo është mjaft kritike ndaj instrumenteve të përdorur në zbatimin e buxheteve. Civici i bëri thirrje qeverisë dhe i tërhoqi vëmendjen për mungesë të përgjegjshmërisë në menaxhimin e ekonomisë dhe jetës së shqiptarëve.