E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza kërkon burgim të përjetshëm për Dondollakun

Afër fundit edhe një nga proceset e Enver Dondollakut, numrit dy të bandës së Lushnjës. Dje, në Gjykatën e Krimeve të Rënda prokurori i çështjes ka lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës, në të cilat kërkohej shpallja fajtor e bashkëpunëtorit më të ngushtë të Aldo Bares dhe dënimi i tij me burgim të përjetshëm. Ky është njëri nga dy proceset në të cilat është duke u gjykuar Dondollaku, i cili aktualisht ndodhet në burgjet italiane, në pritje të vendimit të drejtësisë së këtij vendi për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Në seancën e kaluar, gjykata kishte pranuar kërkesën e bërë nga i pandehuri, nëpërmjet avokatit të tij për zhvillimin e gjykimit të shkurtuar. Sipas kësaj procedure, i pandehuri kishte kërkuar mbylljen e shqyrtimit gjyqësor vetëm me provat që ishin administruar në dosjen e tij nga organi i akuzës. Kjo gjë i krijon atij mundësinë për të përfituar uljen e 1/3 së dënimit. Në këtë mënyrë, pas pretencës së prokurorit, i cili kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm, bashkëpunëtori më i ngushtë i Aldo Bares rrezikon një dënim deri në 25 vjet burg. Në procesin për të cilin dje janë dhënë konkluzionet përfundimtare të akuzës, Enver Dondollaku akuzohet për veprat penale të "Vrasjes", "Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës", etj. Në qendër të këtij procesi janë disa ngjarje për të cilat akuzohet i konsideruari si bashkëpunëtori më i ngushtë i Aldo Bares. Dondollaku është duke u gjykuar për vendosjen e minës në stadium, vrasjen e Kleti Banos, Bledar Haxhiut, Artan Sulçes, Nosh Gjeloshaj, Alfred Pirrës, tentativën e vrasjes së Bernard Linatopit, armëmbajtje pa leje, krijimin e organizatës kriminale dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale. Ndonëse ndodhet ende në Itali, gjykimi i tij u përshpejtua për faktin e mbërritjes në kohë të përgjigjeve të letër-porosive të dërguara nga gjykata shqiptare. Në përgjigjen e tij, Dondollaku bënte të ditur avokatin mbrojtës që do ta përfaqësonte në gjyq, si dhe i jepte atij atributet për të kërkuar gjykimin e shkurtuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›