Dënohet Enver Boriçi, një nga krijuesit e bandës së Lushnjës
Enver Boriçi, i konsideruar si një nga krijuesit e bandës famëkeqe të Lushnjës, është dënuar dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Procesi i tij është i pari që përfundon në një sërë procesesh të tjera, që lidhen me bandën e Aldo Bares dhe që janë duke u zhvilluar në gjykatë. Togat e zeza e kanë shpallur fajtor Boriçin për më shumë se katër vepra penale, duke e dënuar me 12 vjet heqje lirie. Çështja e të pandehurit ishte ndarë nga pjesa tjetër e grupit të të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit. Gjykata nuk pranoi më përpara zgjatjen e afateve hetimore edhe për tre muaj të tjerë, dhe në këtë mënyrë prokuroria u detyrua të veçonte çështjen dhe të niste për gjykim dosjen e Enver Boriçit. Në seancën e fundit, trupi gjykues ka dhënë vendimin e fajësisë, i cili është dy vjet më i lartë se sa masa e dënimit që kishte kërkuar prokuroria.