Privatizimi i KESH, debate në Kuvend
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka pranuar se, për gjetjen e konsulentit ndërkombëtar për privatizimin e KESH-it ka përzgjedhur IFC-në. "Për privatizimin e KESH-it në zyrën time mbërritën dy oferta nga kompani konsulente, IFC dhe BERZH. Unë bëra zgjedhjen time, me miratim të Këshillit të Ministrave, duke lidhur kontratë me IFC-në, e cila do të ndihmonte në gjetjen e investitorit strategjik për privatizimit e OSSH-së, pranë KESH-it". Deklaratën, kreu i METE-s e bëri gjatë diskutimit të formulës së privatizimit të OSSH-së në Komisionin e Ekonomisë, ku deputeti i PS-së, Andis Harasani, kërkoi sqarime rreth kontratës së lidhur me konsulentin në fjalë. "Pse mbahet e fshehur kjo kontratë, pse nuk është bërë tender për gjetjen e konsulentit dhe cilat janë termat e referencës së kontratës me IFC-në. Ky organizëm nuk ka eksperiencë në këtë fushë, prandaj nuk kuptoj se pse ia besuat privatizimin e KESH-it", ishin disa nga pyetjet e Harasanit drejtuar Rulit. Ministri është shprehur optimist për procesin e privatizimit, duke garantuar se nuk do të krijojë impakt negativ te konsumatorët ardhja e pronarit të ri për OSSH-në. Sipas Rulit, procesi i privatizimit do të nisë në prill, ndërsa ofertat do të hapen në muajin gusht 2008. Komisioni miratoi me shumicë votash privatizimin e 51 deri në 76% të aksioneve të OSSH-së. Paralelisht me të ka vepruar dhe Komisioni i Ligjeve, duke e miratuar nen për nen, ku edhe këtu nuk kanë munguar debatet.