E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Zgjedhor, jo në axhendën dymujore

TIRANË- Pavarësisht angazhimit të forcave kryesore për të përfunduar sa më parë reformën zgjedhore, koha e miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mbetet ende enigmë. Kjo pasi Konferenca e Kryetarëve nuk e ka përfshirë miratimin e një drafti të tillë jo vetëm në kalendarin tre javor të punimeve, por as në programin dymujor të veprimtarisë së Kuvendit. Një fakt i tillë bën të pavlefshëm jo vetëm angazhimin politik, por edhe mandatin tre mujor të Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, të cilit i mbaron afati për të disatën herë pikërisht brenda këtij muaji.

Megjithëse burime pranë Kuvendit kanë bërë të ditur se një çështje e tillë mund të futet në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit në momentin e parë pasi mbaron së diskutuari jo vetëm në komisionin e reformës, por edhe në komisionet e tjera të posaçme, duket pak e çuditshme që një çështje e tillë, me një rëndësi jetike për fatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe mandej për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, të “harrohet” të përfshihet në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Nuk dihet nëse një gjë e tillë ka të bëjë me një tërheqje nga ana e drejtuesve të Kuvendit për ta shtyrë miratimin e ndryshimeve në Kod apo është thjesht një harresë njerëzore, por sipas përfaqësuesve të opozitës kjo përbën një veprim të qëllimshëm nga ana e mazhorancës e cila duket se po kërkon që të përfitojë politikisht duke mbajtur të hapur debatin për reformën zgjedhore.

Kështu, përfaqësues të opozitës janë shprehur për “Shekullin” se mazhoranca po mundohet që të shtyjë miratimin e këtij drafti sa më afër zgjedhjeve, me qëllim që të mbajë ndezur konfliktin që ekziston midis PS-së dhe LSI-së mbi perceptimin e reformës elektorale. Ndërkohë, në kalendarin tre javor të punimeve janë përfshirë për diskutim dhe për miratim projektligji për pastërtinë e figurës së zyrtarit të lartë, ose i thënë ndryshe projektligji për hapjen e dosjeve të spiunëve. Edhe kjo çështje, ashtu si ajo e reformës zgjedhore u ndërpre një muaj më parë me mbylljen e sesionit parlamentar.

Gjatë këtij tre javori është përcaktuar që të diskutohen edhe një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme, siç është amendamenti i paraqitur nga deputeti republikan për shfuqizimin e Ligjit 7501 “Për tokën”. Gjithashtu, në këtë tre javor është përfshirë dhe projektligji i paraqitur gati 5 muaj më parë nga Partia Socialiste “Për dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit”. Kuvendi pritet të miratojë gjatë 20 ditëve të ardhshme edhe dy dekretet e ardhura nga Presidenti i Republikës për plotësimin e një vendi vakant në detyrën e anëtarit të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe për Kryetarin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Interesant është edhe fakti se në programin dyjavor të punimeve të Kuvendit është rifutur dhe një çështje e hershme, siç është ajo për projektligjin për kufizimin e imunitetit të deputetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›