E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet hetimore, dështimi i radhës

Ngritja e komisioneve hetimore në Kuvendin shqiptar tashmë është bërë e modës. Por për fat të keq, vazhdimisht kanë rezultuar të paefektshëm. Mbyllja e sesionit të shkuar parlamentar u mbajt mend për ngritjen e një morie komisionesh hetimore, shembull i cili u ndoq edhe në këtë sesion. Më 8 tetor të këtij viti deputetët e Kuvendit, mes debateve të shumta, vendosën ngritjen e katër komisione hetimore parlamentare. Qëllimi i ngritjes së këtyre komisioneve hetimore ishte hetimi i tenderave dhe prokurimeve publike të bëra nga qeveria "Berisha", e cila, sipas opozitës, kishte abuzuar. Kohëzgjatja e komisioneve në bazë të ligjit të miratuar në 2002 për ngritjen e komisioneve hetimore do të ishte tre muaj dhe kostoja e tyre do të paguhej nga shteti, ku në bazë të rregullores së Kuvendit për çdo anëtar të komisionit në çdo mbledhje të zhvilluar paguhen me 20 mijë lekë të vjetra, gjithashtu, po nga shteti paguhen edhe ekspertët që ka secili komision, sekretare dhe baza materiale siç janë pajisjet e ndryshme kancelarike që duhen gjatë punës së një komisioni. Komisioni i parë që u ngrit ishte ai për hetimin e koncesioneve të qeverisë "Berisha", i cili u miratua me 75 vota pro. Komisioni i dytë i cili u ngrit me 65 vota pro ishte ai për hetimin e rrugës Durrës-Kukës. Komisioni i tretë u ngrit me 91 vota dhe do të hetonte prokurimet publike dhe komisioni i katërt, i cili u miratua me 72 vota pro do të hetonte procedurat lidhur me nënshtrimin e kontratës së privativit të Albtelekomit. Por "epidemia" e ngritjes së komisioneve hetimore nuk mbeti me kaq, gati tri javë më pas, më 1 nëntor 2007, Parlamenti ngriti një tjetër komision hetimor këtë herë për përgjimet e paligjshme që u bëhen deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit, kohëzgjatja e të cilit do të ishte dy muaj. Gjithçka deri këtu duket në rregull, pas miratimit me shumicë votash në sallën e Kuvendit pak ditë më pas komisionet të "etur" për të hetuar shkeljet e qeverisë nisën të bëjnë mbledhjet e para, mbledhje të cilat nuk zgjatën më shumë se pesë minuta, kohë që u mjaftonte anëtarëve të komisioneve për të konstituuar komisionet dhe për të miratuar planin e punës së tyre. Pas këtyre mbledhjeve të para, të cilat siç thamë, nuk kanë zgjatur më shumë se pesë minuta, kryetarët e komisioneve kanë thirrur edhe nga ndonjë mbledhje të dytë apo të tretë, kryefjala e të cilëve ka qenë se puna në komisione po vazhdon intensivisht, por janë ministritë dhe institucionet përkatëse, që nuk u vënë komisioneve në dispozicion materialet e duhura për të vijuar më tej hetimin. Kur ka kaluar gati dy muaj e gjysmë nga ngritja e komisioneve hetimore dhe pjesës më të madhe po i përfundon koha e tyre pa frikë mund të thuhet se deri më tani nuk është arritur në asnjë përfundim konkret. Çdo ditë që kalon pa miratimit të komisioneve lihet në harresë ekzistenca e tyre, duke verifikuar më së miri se nisma e Kuvendit për të ngritur komisione hetimore tashmë është e dështuar. Është një nismë, e cila u shërben vetëm politikisht për të zhvilluar debate dhe për të ngritur akuza të ndërsjella dhe për të shpërdoruar në mënyrë të padrejtë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pasi si nga kjo eksperience ashtu edhe nga ato të mëparshme askush nuk është hetuar apo vënë para përgjegjësisë për abuzimet që i janë bërë këtij populli në emër të shtetit. Nga këto komisione, e vetmja gjë që dihet është se do të shkojnë në Kuvend në fund të mandatit zyrtar me dy raporte, një i opozitës dhe një i mazhorancës, të cilat si gjithmonë ndajnë mendime të ndryshme për sa i përket abuzimeve me paratë e shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›