Reforma zgjedhore, shtyhet sërish mandati i komisionit
Dështon për herë të dytë komisioni i reformës zgjedhore. Partitë politike kërkojnë shtyrjen e mandatit të tij. Deputeti Spiro Peçi ka deklaruar dje se ndonëse mandati i komisionit për reformën zgjedhore përfundon më 17 dhjetor, puna e tij do të vijojë me një mandat tjetër shtesë. Aktualisht, tha ai komisioni ndodhet në fazën e rrahjes së mendimeve dhe grumbullimit të propozimeve lidhur me çështjen e sistemit, si dhe nën sugjerimet e grupeve të monitorimit. Sipas Peçit, "përfaqësuesit e partive parlamentare në komision kanë hedhur idetë dhe shfaqur opsionet rreth sistemit elektoral". Mendimi i Peçit është mbështetur edhe nga deputeti Starova, i cili ka theksuar se mandati i komisionit do të shtyhet. Starova deklaroi se "mirë do ishte që të kishim ecur më shpejt, por, sigurisht që mandati i komisionit do të shtyhet". Pro shtyrjes së mandatit të komisionit të reformës zgjedhore është shprehur edhe deputeti i PR-së, Arian Madhi. "Është i njohur problemi si çështja e këmbënguljes së partive të vogla, qoftë të spektrit të majtë, apo të djathtë, të cilat pretendojnë të ruajnë në radhë të parë një prag elektoral në nivelin e sistemit në fuqi", është shprehur Madhi. Kryetari i PAD-së, Ceka, ka vlerësuar punën e komisionit zgjedhor dhe ka theksuar se do të ketë shtyrje të mandatit të këtij komisioni. Por nuk e ka vlerësuar kaq deputeti i PSD-së, Engjëll Bejtaj, i cili ka pranuar shtyrjen e mandatit të këtij komisioni, por ka theksuar se mungon vullneti i politikës për t‘i dhënë një zgjidhje konkrete reformës zgjedhore, sipas tij, janë partitë e mëdha ato që nuk po e shfaqin këtë vullnet. Ky komision është ngritur që në legjislacionin e shkuar, por për mungesë të konsensusit mes partive politike nuk arriti të mblidhte përveçse dy herë duke sjellë kështu dështimin e tij. Të vënë para presionit të ndërkombëtarëve, Kuvendi më 24 shtator vendosi shtyrjen sërish të afatit të këtij komisioni edhe për tre muaj të tjerë dhe më 27 shtator anëtarët e këtij komisioni mblidhen për të rinisur punën. Gjithçka në rregull deri këtu, por që në mbledhjen e parë sërish nisën diskutimet dhe u vu re mungesa e konsensusit mes palëve duke lënë të kuptohet se sërish puna e këtij komisioni kishte nisur pa filluar. Pas një shkëputjeje dymujore, vetëm dhjetë ditë më parë partitë politike sërish të vendosur para presionit të ndërkombëtarëve, të cilët kishin propozuar katër modele konkrete për reformën zgjedhore nga të cilat politika shqiptare duhet të zgjidhte një. Këtu nisën dhe mbledhjet e tryezat e para, këtë herë mes partive të vogla, të cilat zgjodhën modelin gjerman, sepse nuk prekej pragu prej 3%, por kërkesa e tyre për të pranuar këtë model u kundërshtua nga dy partitë e mëdha, të cilat mbështesnin modelin spanjoll. Aktualisht, ende nuk është vendosur se cili model do të zgjidhet, por para se të diskutohet për modelin, Kuvendi duhet të vendosë për rishtypjen e mandatit të komisionit për reformën zgjedhore.