E Diel, 1 Nëntor 2026

"Komuna e Parisit", me 50 gështenja të reja

Ka filluar gjelbërimi i pjesës së dytë të rrugës "Komuna e Parisit", në segmentin nga rruga "Sulejman Delvina" deri në bulevardin "Bajram Curri", që është rikonstruktuar prej pak kohësh. Sipas përfaqësuesve të bashkisë, mbjellja e rreth 50 pemëve të llojit gështenjë dekorative, synon në këtë mënyrë të rrisë përmasën e gjelbër në kryeqytet dhe të përmirësojë situatën mjedisore në këtë zonë. I pranishëm në aksionin për mbjelljen e këtyre pemëve ishte edhe kryebashkiaku Edi Rama. "Jam besimplotë që projekti që ne po përfundojmë së konceptuari për të bashkëpunuar me të gjitha sipërmarrjet e kryeqytetit dhe për të krijuar zona patronazhi në blloqet e banimit do të na japë mundësinë që të bëjmë më tutje një volum edhe më të madh mbjelljesh", u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ai theksoi se nga viti në vit do të shkohet drejt plotësimit të objektivit të nevojës tërësore për gjelbërimin, duke premtuar se kjo do të bëhet në një hark kohor të arsyeshëm prej disa vitesh. Rama tha se "çdo mbjellje pemësh në qytet është një ngjarje e shënuar dhe jam shumë i kënaqur që mbjelljet e këtij viti kanë rritur ndjeshëm përmasën e gjelbër të qytetit dhe njëkohësisht duke plotësuar kështu një nevojë të jashtëzakonshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›