Projektbuxheti 2008, larg plotësimit të nevojave
Bashkia e Tiranës ka përfunduar hartimin e projektbuxhetit të vitit 2008. Ai do të mbërrijë në duart e këshilltarëve bashkiakë ditën e premte, më 22 shkurt. Sipas drejtuesve të bashkisë, ky projekt u ngrit pas dëgjesave publike të organizuara në 22 seanca, nga dy për secilën njësi bashkiake, nga ana e kryetarit Rama. Megjithatë, kërkesat dhe nevojat janë të shumta, ndërsa mundësitë financiare për realizimin e tyre janë të pamjaftueshme. "Ky projekt flet qartë mes rreshtave për nevoja në rritje dhe mundësi ende mjaft modeste financiare në krahasim me këto nevoja. Burimet alternative të financimit të prioriteteve për të vijuar me rritjen e domosdoshme të investimeve në infrastrukturën rrugore, arsimore, mjedis, strehim social apo shërbime, edhe pse këtë vit janë më të shumta se çdo vit tjetër, nuk arrijnë ta mbulojnë disproporcionin mes nevojave e kërkesave në rritje të Tiranës e të kryeqytetasve dhe mundësive të kufizuara të qeverisjes vendore për t‘i përballuar këto nevoja e kërkesa", thuhet në qëndrimin zyrtar të Bashkisë së Tiranës. Praktika e buxhetimit me pjesëmarrje, që nisi në 2002-in, u pasua nga dy nisma të reja, "Gjykoni punën time" dhe "Thuaj fjalën tënde". Disa mijëra qytetarë kanë gjykuar fillimisht gjendjen e komunitetit të tyre e kanë ngritur probleme e shqetësime konkrete për qeverinë vendore. Ata kanë votuar për atë që e kanë konsideruar më të rëndësishme në listën përkatëse të prioriteteve, duke u përfshirë në procesin e hartimit të buxhetit të qytetit të Tiranës 2008. "Këto dëgjesa publike, të organizuara mes komuniteteve të Tiranës, së bashku me edicionin e pestë të ‘Transparencës për Bashkinë e Tiranës për vitin 2007‘, si shprehja e prirjeve të përgjithshme të krejt bashkësisë kryeqytetase, na japin një bazë solide për të menduar e organizuar drejt shpenzimin e të ardhurave tona, pra të një projekt-buxheti të konceptuar si pjesë e një plani afatmesëm e afatgjatë ndërhyrjesh dobiprurëse në jetën e kryeqytetit e të banorëve të tij", theksohet nga drejtuesit e pushtetit vendor në Tiranë.