Çelet shkolla e arkivave
Ata që do të punojnë në arkiva do të bëjnë një kurs të veçantë shkollimi. Grupi i parë i studentëve ka nisur dje ciklin njëvjeçar të trajnimit në këtë fushë. Çelja e shkollës u bë e mundur nga një financim i qeverisë federale zvicerane dhe qeverisë shqiptare. Ndaj në përurimin e këtij kursi mori pjesë dhe zv/kryeministri Gazmend Oketa, ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë dhe drejtoresha e arkivave, Nevila Nika. Mësimet do të kryhen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Kjo shkollë u hap pasi vëreheshin mangësi të specialistëve në këtë fushë. Në vendin tonë ata që punojnë në arkiva kanë mbaruar thjesht një fakultetet, por jo një të tillë për fushën. Specialistët më të mirë deri tani konsiderohen ata që kanë mbaruar studimet për histori. Në grupin e parë do të marrin pjesë studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Janë afro 30 persona që do të marrin njohuri mbi metodat moderne të arkivimit. Ata do të trajnohen si specialistë të arkivave dhe do të punojnë për ridimensionimin e kësaj fushe studimi dhe mësimi në vendet përkatëse. Lektorë do të jenë profesorë të vendit dhe të huaj.