Qeveria atashohet në Universitetin e Tiranës
Thuajse e gjithë qeveria është pjesë e Universitetit të Tiranës. Ministrat nga dje janë edhe senatorë, të cilëve iu bie barra "të përkujdesen" për një fakultet të posaçëm. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Kushtetueses, Vladimir Kristo dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, do të jenë mbrojtësit e gjithë universitetit. Ata janë zgjedhur senatorë korrespondentë të Universitetit të Tiranës. Lajmin e bën të ditur për "Shqip" rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. "Në mbledhjen e djeshme të senatit votuam për anëtarët e rinj të këtij senati, por edhe për anëtarët e rinj të këshillave të fakulteteve". Kështu u shpreh Kule, ndërsa shtoi se ata janë personalitete të shtetit shqiptar. Për herë të parë në vendin tonë Universiteti publik i Tiranës zgjedh senatorë korrespondentë. Një praktikë kjo e adaptuar nga vendet perëndimore. Janë të gjithë emra të njohur, ministra, kryetarë gjykate apo banke, por edhe zv/ministra e drejtorë. Janë ftuar të marrin pjesë në vendimmarrjen e universitetit dhe të fakulteteve. Kështu, sa herë të ketë mbledhje në një Këshill Fakulteti, i pranishëm do të jetë edhe ministri përkatës, ose ministri i zgjedhur. Listës së gjatë të ministrave dhe kryetarëve i mungon emri i ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, ministrit të Arsimit, Genc Pollo dhe zv/kryeministrit Gazmend Oketa. Pse mungon ministri i Arsimit, Pollo? Kësaj pyetje i përgjigjet rektori i UT-së, Dhori Kule, duke u shprehur se "universitetet varen nga Ministria e Arsimit dhe nuk mund të zgjidhet ministri senator i një fakulteti, pasi mund të shihej si preferencial nga 7 fakultetet e tjera". Për senatorët korrespondentë të sapozgjedhur kanë vendosur profesorët (senatorë) e Universitetit të Tiranës, sipas një lidhje logjike të degës së studimit me postin ministror. Kështu, Fakulteti i Ekonomisë ka zgjedhur si senatorë korrespondentë të këshillit ministrin e Financave, Ridvan Bode, atë të Ekonomisë, Genc Ruli dhe ministrin e Transporteve, Sokol Olldashi. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka zgjedhur si senatore ministren e Integrimit, Majlinda Bregu. Ministri i Kulturës do të jetë i atashuar pranë Fakultetit të Filologjisë. Fakulteti i Drejtësisë do të ketë shumë senatorë si: ministrin e Drejtësisë, Enlekejd Alibeaj, ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, zv/kryetarin e KLD-së dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, është nga dje senator i Fakultetit të Mjekësisë, ndërsa tek Infermieria është zgjedhur Arben Ivanaj, zv/ministër i Shëndetësisë dhe Mati Pepa drejtor i QSUT-së. Koço Barka, ministri i Punës, është senator korrespondent i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Lufter Xhuveli përfaqëson qeverinë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Janë 8 fakultete dhe 15 senatorë ministra dhe kryetarë, ku përkatësisht Fakulteti i Drejtësisë ka mbledhur pranë vetes më shumë senatorë, plot katër të tillë. Më tej renditet Ekonomiku me tre senatorë, të tre ministra dhe Infermieria me dy senatorë asnjëri ministër, por autoritete që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me këtë fushë studimi.
Senati i universitetit, që është struktura më e lartë drejtuese në rang akademik, ka tri figura të njohura të shtetit. Jozefina Topalli tashmë është senatore e këtij senati, por edhe Adrian Fullani dhe Vladimir Pasko. Ata do të jenë anëtarë me të drejta të plota në senat dhe jo vetëm figura honorifike. Sipas rektorit Dhori Kule, këto personalitete janë pika e lidhjes mes universitetit shtetëror dhe institucioneve të larta shtetërore në vend.
tab 1
Anëtarë të Senatit të UT-së
Jozefina Topalli, Kryetare e Kuvendit
Vladimir Kristo, Kryetar i Gjykatës Kushtetueses
Adrian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë
tab 2
Senatorë korrespondentë të Këshillave të Fakulteteve
Fakulteti i Ekonomisë
Ridvan Bode, ministër i Financave
Genc Ruli, ministër i Ekonomisë
Sokol Olldashi, ministër i Transporteve
Fakulteti i Drejtësisë
Bujar Nishani, ministër i Brendshëm
Enkelejd Alibeaj, ministër Drejtësie
Thimio Kondi, kryetar i Gjykatës së Lartë
Kreshnik Spahiu, nënkryetar i KLD
Fakulteti i Mjekësisë
Nard Ndoka, ministër Shëndetësie
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë
Ylli Pango, ministër i Kulturës dhe Turizmit
Fakulteti i Shkencave Sociale
Koço Barka, ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale
Fakulteti i Shkencave të Natyrës
Lufter Xhuveli, ministër i Mjedisit të Pyjeve dhe Ujërave
Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
Majlinda Bregu, ministre Integrimi
Fakulteti i Infermierisë
Arben Ivanaj, zv/ministër i Shëndetësisë
Mati Pepa, drejtori i QSUT-së