E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, qeverisë: Zgjidh krizën

Në kulmin e krizës së rritjes së çmimeve ka ndërhyrë kreu i shtetit shqiptar, duke i kërkuar në mënyrë publike qeverisë që të ndërhyjë për të përmirësuar situatën. Në një dalje publike, Presidenti i Republikës nuk ka përdorur fjalë diplomatike, por ka theksuar në mënyrë të qartë se situata jo vetëm është alarmante, por kërkon dhe një ndërhyrje urgjente. Presidenti Topi i ka tërhequr vëmendjen qeverisë që të lerë mënjanë deklaratat dhe fjalimet mediatike, por të merret konkretisht me problemet e qytetarëve, siç është rritja e çmimit të bukës por edhe të artikujve të tjerë kryesorë ushqimorë. Në forumin me temë "Politika e brendshme dhe e jashtme e Shqipërisë për vitin 2008", kreu i shtetit ka deklaruar se "këto forume kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne, për politikanët, për parlamentarët, për njerëzit që merren me politikën e jashtme, për ekonomistët, për akademikët, por duke iu referuar edhe një debati në terrenin e thjeshtë shoqëror, duket që sot ka edhe probleme të natyrës akute, që për të dalë nga frazeologjitë e fjalimeve që kanë të bëjnë me tendencat e ekonomisë, nuk ka sesi të shkëputemi nga ky lloj debati që diskutojmë sot dhe që ka të bëjë me çmimin e një elementi bazë e jetësor sikurse është buka". Ai ka theksuar se qeveria duhet të gjejë zgjidhje për frenimin e rritjes së çmimeve, të dëgjojë zërin e qytetarëve që ankohen me të drejtë për nivelin e çmimeve. Presidenti ka deklaruar se diskutimi për çështje të tilla nuk duhet të mbesë vetëm në nivelet teorike dhe akademike, por politika dhe shteti duhet ta marrë problemin në konsideratë për t‘i dhënë zgjidhje afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. "Nisur nga fakti që sektori privat përbën rreth 80% të kontributit në GDP-në e vendit tonë, politikat ekonomike dhe financiare duhet së dyti të inkurajojnë përvojat pozitive të tyre, të mbështesin projektet dhe prodhimet cilësore, të nxisin prodhimin vendas dhe të krijojnë terren për konkurrencë të ndershme. Integrimi i vendit kërkon patjetër treg cilësor, konkurrues dhe sa më shumë prodhime "made in Albania" si në tregun rajonal, ashtu edhe më gjerë", është shprehur kreu i shtetit, Bamir Topi. Në tryezën e djeshme Presidenti i Republikës nuk ka lënë jashtë vëmendjes së tij edhe zhvillimet e fundit politike në vend, duke vlerësuar bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës për realizimin e reformave në vend me qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Duke u ndalur tek reforma në drejtësi, e cila është një nga çështjet që po diskuton me konsensus aktualisht politika shqiptare, Topi ka theksuar se "reforma në drejtësi është një nga çështjet në qendër të vëmendjes jo vetëm nga politika shqiptare por mbi të gjitha nga shoqëria e nga njerëzit e thjeshtë". Sipas tij, Presidenti në pozicionin e tij edhe si kryetar i KLD-së gjykon se vazhdimi i reformës në drejtësi duhet t‘i përshtatet zhvillimeve demokratike të vendit. Reforma zgjedhore ka qenë një pikë tjetër e diskutimit të Presidentit Topi, i cili ka theksuar se reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme, jo vetëm për faktin se është një parakusht i integrimit të vendit në NATO dhe BE, por ajo duhet si normë e një shteti të së drejtës dhe demokratik, ku vota e çdo qytetari nuk duhet të deformohet as të vidhet, por të respektohet. Gjithashtu Presidenti ka diskutuar edhe në lidhje me zhvillimet e rajonit, ku vendi ynë, sipas tij, ka luajtur një rol pozitiv, dhe këtu ka sjellë si shembull marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit, i cili është dhe do të mbetet vazhdimisht një prioritet i patjetërsuar i politikës së jashtme.

Kuvendi

Kuvendi përfshihet në debate për rritjen e çmimit të bukës

Lesi: Ministrat të lënë zyrat, të përballen me njerëzit

Rritja e çmimit të bukës ka shkaktuar shumë debate dje në sallën e Kuvendit. Kryetari i Partisë Lëvizja Demokristiane, Nikoll Lesi, ka deklaruar dje se qeveria duhet të ndërhyjë për t‘i dhënë një zgjidhje rritjes së çmimit të bukës. Ai ka theksuar se qeveria duhet të hartojë një politikë urgjente për të favorizuar dhe nxitur fermerët shqiptarë për të mbjellë grurë e misër. Kryetari i LDK-së nuk i ka kursyer as kritikat për ministrat, duke deklaruar se ata injorojnë hallet dhe problemet e popullit dhe elektoratit të tyre. "Kryeministri Berisha, tha Lesi, duhet të urdhërojë të gjithë ministrat të dalin zonë më zonë e fshat më fshat, për t‘u takuar me elektoratin e tyre dhe të dëgjojnë hallet dhe shqetësimet që ata kanë". "Nuk na falet që qeveria dhe mazhoranca qëndrojnë larg njerëzve dhe halleve tyre, duhet të kenë parë kryetarin e opozitës, i cili ka ndërmarrë një tur fshat më fshat", ka vijuar Lesi. Ndërsa, ministrat tanë ka theksuar ai, të cilët i mbajmë me makina, zyra e lukse të tjera, nuk shkojnë të përballen me njerëzit, pasi kanë frikë se mos rrihen prej tyre. "Cili ministër ‘rrihet‘ më mirë nga populli se nuk i ka plotësuar kërkesat e tij, të paraqitet në darkë te Kryeministri dhe të marrë shkarkimin", është shprehur Lesi. Për çfarë kemi ardhur në pushtet, për ministrat, ka shtuar më tej në fjalën e tij pyetjen Nikoll Lesi, duke i kërkuar kryetarit të grupit të PD-së, Astrit Patozi, që t‘i kërkojë Kryeministrit Berisha, që të mbledhë të gjithë deputetët e mazhorancës dhe ministrat të japin llogari para tyre, për ndryshe le të ndryshohen vendet: ministrat të ulen në sallën e deputetëve dhe deputetët të bëhen ministra. Deklaratën e Lesit është munduar ta kundërshtojë i vetmi ministër që ka qenë në podiumin e qeverisë, Jemin Gjana. Ai e ka justifikuar rritjen e çmimit të bukës me faktin se po rritet çmimi i drithërave në arenën ndërkombëtare. Ky pretendim nuk është pranuar nga opozita, e cila nëpërmjet nënkryetarit të grupit parlamentar, Erjon Braçe, ka deklaruar se kjo krizë vjen për faj të keqqeverisjes së Kryeministrit Berisha. Sipas Braçes, qeveria është e paaftë për të përballuar krizën që ka përfshirë vendin. "40% e çmimit të bukës shkon për taksa", tha Braçe. Ai u shpreh se qeveria është vetëm e punëve të jashtme, ndërsa debati është në fakt diskutim për kafshatën, e cila është çështje dite. Prej disa ditësh vendi ynë është përballur me rritjen e çmimit të bukës për herë të dytë brenda një kohe mjaft të shkurtër. Kjo rritje nuk është pritur mirë në popull, duke shkaktuar reagime të ndryshme. Vetë Kryeministri i pyetur nga mediat, është shprehur i pafuqishëm për të marrë masa para një problemi të tillë, duke e argumentuar me faktin se është problem i biznesit të lirë dhe qeveria është e pafuqishme të ndërhyjë.

Qëndrimi

Ulqini: Deklaratat e Berishës, të papërgjegjshme

Sekretari i grupit parlamentar të PS-së, Musa Ulqini, ka deklaruar dje në Kuvend se kryefjala e shqetësimit të shumicës së familjeve shqiptare, gjithnjë e më shumë po bëhet rritja e çmimeve të artikujve më jetikë të jetës së përditshme. Ai tha se buka, ushqimi numër një i shqiptarëve, sot shitet dy herë më shtrenjtë se gjashtë muaj më parë. Vaji ushqimor, produkti numër dy është dyfishuar dhe çmimi pritet të katërfishohet deri në gjysmën e parë të këtij viti. Nënproduktet ushqimore të drithërave, vazhdojnë po ashtu të rriten në mënyrë shqetësuese. Ndërkohë, sipas mediave, Enti Rregullator i Energjisë pritet të shtrenjtojë energjinë elektrike për konsumatorët familjarë, në masën 40%. Kjo situatë ekonomike, tha Ulqini, është një dhembje e vërtetë koke për shumicën e familjeve shqiptare. Ndërkohë që rriten çmimet e artikujve jetikë, rritjet e rrogave dhe kompensimet financiare për shtresat në nevojë, tashmë duket se i përkasin vetëm premtimeve elektorale. Sipas tij qëndrimi i qeverisë në lidhje me këtë çështje ishte mjaft i qartë në deklaratën e bërë më 3 shkurt nga Kryeministri i vendit, i cili tha se "çmimin e bukës e vendos tregu". Ulqini theksoi më tej se

si mund të jenë dakord me këtë deklaratë të Kryeministrit 530.000 pensionistët shqiptarë, kur 1 kg bukë sot kushton sa gjysma e pensionit ditor në qytet dhe sa pensioni ditor në fshat. Si mund të jenë dakord me këtë deklaratë të Kryeministrit, 103 mijë familje shqiptare në nevojë, të cilat përfitojnë në muaj 2000 lekë ndihmë ekonomike, e barabartë kjo me 16 bukë në muaj. Si mund të jenë dakord me këtë deklaratë të Kryeministrit, 67700 persona me aftësi të kufizuar e kujdestare, si dhe 45.500 invalidë pune, të cilët me të ardhurat që marrin sot dhe me këtë rritje çmimesh nuk mund të garantojnë as nevojat më minimale për jetesë. Ai ka theksuar që në fushatat elektorale premtimi i Kryeministrit ishte krejt tjetër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›