E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon "muaji i provës" për bardhezinjtë

Juventusi ka harruar problemet e dy sezoneve të fundit dhe tashmë kërkon një rol protagonisti në Serinë A që në edicionin e rikthimit. Projekti pesëvjeçar për ta bërë përsëri të madhe "Zonjën e Vjetër" duket se është harruar dhe drejtuesit kërkojnë menjëherë rezultate nga trajneri Ranieri dhe skuadra. "Vendi i tretë është i rëndësishëm, pasi ne jemi Juventusi. Operacionet në merkato? Do t‘i vlerësojmë në fundin e kampionatit", ishin fjalët e administratorit Blank në revistën "Hurra Juventus". Ai ka bërë të qartë se objektivi mbetet pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve, që garanton të ardhura të mëdha për klubin dhe prestigj ndërkombëtar. "Vendi i tretë nuk shihet si një dështim, por gjithçka do të varet nga mënyra se si do ta arrijmë këtë objektiv", deklaroi ai. Një gjë e tillë mund të përcaktohet që në muajin e ardhshëm, ku bardhezinjtë do të luajnë kundër Udinezes, Romës, Rexhinës, Torinos dhe Fiorentinës. Një fitore në 5 ndeshjet e fundit ka afruar rrezikshëm të gjithë ndjekësit e bardhezinjve, ndaj Ranierit nuk i lejohen më gabime. Mbi të rëndon fakti se ka shprehur gjithmonë besim te titulli kampion dhe kualifikimi në Kupën e Italisë. Por, në të dyja rastet, skuadra ka dështuar pasi gjendet -12 pikë nga Interi dhe më pas u eliminua nga zikaltrit edhe nga Kupa e Italisë. Për më tepër, Juventusi duhet të shohë ecurinë e Sisoko dhe të Tiagos, i pari i kërkuar me ngulm nga Ranieri, ndërsa i dyti duhet të kthehet në formën më të mirë se më parë. Nëse në të dyja rastet nuk do të ketë rezultatet e pritura, atëherë Ranieri do të cilësohet si fajtor dhe një shkarkim i tij nuk do të ishte një hipotezë e pamundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›