LSI kërcënon PS: Ikim nga koalicioni
Reforma zgjedhore ka ndezur gjakrat në politikën shqiptare. Bisedimet e dy partive të mëdha për ndryshimin e kodit zgjedhor kanë përshkallëzuar rebelimin e partive të "vogla", që kanë arritur edhe në paralajmërime dramatike. Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë më e ashpra në deklaratat e saj të dhëna dje. Nëpërmjet nënkryetarit Dritan Prifti, LSI-ja ka paralajmëruar daljen nga koalicioni i opozitës nëse PS e PD nuk përfshijnë të gjitha forcat politike në kryerjen e reformës zgjedhore. Prifti ka shkuar më tej me akuzat e tij, duke theksuar se PS-ja po shkatërron koalicionin opozitar, duke iu rikthyer marrëveshjeve të pista me PD-në dhe kreun e saj, Berisha. Sipas nënkryetarit të LSI-së, Dritan Prifti, "nëse Rama dhe Berisha duan të lajnë hesapet me njerëzit brenda forcave të tyre politike, ky nuk është problemi i Shqipërisë. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë haraçin e kësaj politike". Sipas Priftit, nëse PS ka zgjedhur në mënyrë të njëanshme që tryeza e opozitës të mos funksionojë më, atëherë ne tha Prifti do të nisim fushatën të vetëm. Sipas drejtuesve të LSI-së, kjo forcë politike është e aftë të bëjë një fushatë vetëm dhe të fitojë zgjedhjet duke dalë kështu forca e parë e së majtës. "LSI mund të bëjë një fushatë të vetme para të gjithëve. Jemi të bindur se kemi përkrahje shumë më të madhe. Kemi mundësi të jemi forca e parë e së majtës", është shprehur Dritan Prifti. Duke iu rikthyer zgjedhjeve të kaluara, Prifti ka theksuar se LSI nuk do të lejojë më aplikimin e skemave të "Dushkut", ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, pasi LSI-ja ka qenë forca më e prekur nga skema e "Dushkut" në zgjedhjet e vitit 2005, ndaj nuk do të lejojë përsëritjen e së njëjtës histori. Deklarata e bërë dje nga nënkryetari i LSI-së vjen një ditë pas qëndrimit të ashpër nga kryetari Meta, i cili në një takim me të rinjtë e kësaj partie në Fier denoncoi "Megadushkun" dhe marrëveshjet e partive të mëdha. "Ne nuk mund të lejojmë më që në Shqipëri të mos ketë zgjedhje të rregullta dhe demokratike, siç ka ndodhur prej 18 vjetësh. Ne jemi forcë politike, që nuk u bëmë pjesë e lojës së fëlliqur të ‘Megadushkut‘ apo trafikimit të votës. Ne kërkojmë në emër të të gjithë shqiptarëve një reformë zgjedhore të ndershme, që të shenjtërojë votën e qytetarëve shqiptarë", është shprehur Meta. Duke ftuar dy partitë e tjera, PS dhe PD, që të jenë të kujdesshme në reformën zgjedhore, pasi LSI-ja nuk do të lejojë më asnjë sistem monstër dhe të përçudnuar, që guxon të luajë dhe të deformojë votën dhe vullnetin e shqiptarëve. Askush nuk duhet të ketë frikë, është shprehur Meta, nga listat e hapura, pasi listat e hapura garantojnë konkurrencën. Sipas tij, vetëm përmes një sistemi me lista të hapura ka kuptim parimi "një anëtar-një votë", që më së fundi edhe PS dhe PD kanë shprehur vullnetin për ta zbatuar. Sipas Metës, Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë pronë e askujt. Por nuk është vetëm LSI-ja forca politike që u është kundërvënë dy partive të mëdha, duke deklaruar se ato po bëjnë pazare në kurriz të partive të vogla. Pak ditë më parë pothuajse të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe partitë e tjera të vogla, si nga kampi i majtë, ashtu edhe nga kampi i djathtë. Ato në deklarata të ndryshme kanë theksuar se dy partitë e mëdha duhet të ulen në tryezë me partitë e tjera për të vendosur në mënyrë të përbashkët dhe konsensuale lidhur me reformën zgjedhore, me qëllim shmangien e sistemit të dushkut, i cili ka vite që po aplikohet në Shqipëri.