Rama: Të braktisim politikën e konfliktit
Kreu i socialistëve shqiptarë, Edi Rama, gjatë një takimi në Lushnjë, në kuadër të "Dialogut për Shqipërinë", ka bërë thirrje për t‘u ndarë nga politika e konflikteve. Në takimin me punonjës të shëndetësisë, por edhe qytetarë të tjerë, Rama tha se "jemi në sinkron me dëshirën e të gjithë shqiptarëve për t‘u ndarë nga një politikë e vjetër e konflikteve, e sherreve, e ndasive, e përçarjeve, e paragjykimeve, nga një politikë e vjetër e cila e ka mbajtur peng Shqipërinë. I ka mbajtur peng shqiptaret dhe shqiptarët me mure paragjykimesh dhe që ka sunduar përmes qeverisjesh abuzive. Përmes qeverisjesh që nuk kanë qenë në gjendje t‘u japin përgjigje pikëpyetjeve që shkojnë duke u rënduar. Përmes qeverisjesh që kanë bërë që një pakicë gjithmonë e më e vogël të pasurohet, ndërkohë që një shumicë gjithmonë e më e madhe varfërohet përditë e më shumë". "Dialogu me Shqipërinë" për shëndetësinë ka vazhduar dje në fshatin Allkaj, ku është diskutuar me banorët për probleme nga më jetiket, që nga pamundësia e spitaleve për të garantuar një shërbim dinjitoz, deri te qendrat shëndetësore që janë vetëm godina ku jepen receta dhe asgjë më shumë, duke përmendur skemën e medikamenteve të rimbursueshme, e cila është reduktuar ndjeshëm dhe çmimet e barnave që janë të papërballueshme nga ekonomitë e tyre. Më pas, kryetari i Partisë Socialiste është takuar edhe me bluzat e bardha të qytetit të Lushnjës. Në këtë takim merrnin pjesë mjekë, infermierë e farmacistë, të cilët në bashkëbisedim dhanë edhe sugjerimet e tyre për ta bërë shëndetësinë e vendit të ecë me ritmet e duhura, me standardet evropiane.