Thaçi e Sejdiu, bashkë në qeverisje
Kosova do të qeveriset nga koalicioni i madh mes Partisë Demokratike që fitoi zgjedhjet e 17 nëntorit dhe Lidhjes demokratike, e cila i humbi ato. Por dy "armiqtë" e vjetër të politikës së Kosovës, kanë lidhur një pakt mes tyre për të siguruar një qeverisje të qëndrueshme, e cila do të shërbejë shumë në procesin e shpalljes dhe ngritjes së shtetit të ri dhe të pavarur të Kosovës.
Pas më shumë se një muaji që kanë përfunduar zgjedhjet, dy forcat politike kryesore kanë rënë dakord që të qeverisin bashkë. Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu janë marrë vesh që të ndajnë postet kryesore, duke i lënë kështu jashtë loje partitë e tjera. Edhe pse vendimi i LDK- së pritet të zyrtarizohet sot, PDK-ja dhe LDK-ja janë marrë vesh që të bashkëqeverisin me këtë formulë: PDK-ja, e cila është fituese e zgjedhjeve në masën 34% do të mbajë postin e Kryeministrit, Kryetarit të Parlamentit dhe shtatë ministritë kryesore, ndërsa LDK-ja postin e Presidentit, një zv/kryeministër, pasi pritet të jenë tre të tillë dhe 5 ministri. Po kështu do të ndahen edhe postet e zëvendëskryeministrave dhe të institucioneve të tjera me vlerë. Tri ministri do t‘i udhëheqin minoritetet nga të cilat serbët Ministrinë për Kthim të Qëndrueshëm. PDK do të udhëheqë Ministrinë e Energjetikes, të Telekomunikacionit, Ekonomisë dhe Financave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Drejtësisë dhe të Arsimit. Koalicioni PDK -LDK deri tani ngërçin kryesor ka pasur postin e Presidentit, pasi LDK nuk ka dashur ta fusë në Pazar atë, por si duket është dorëzuar më në fund. Thaçi dhe Sejdiu janë përfolur në media për një afrim gjatë kohës që kanë marrë pjesë në Ekipin e Unitetit. Edhe pse Thaçi përfaqësonte partinë kryesore opozitare, raportet e tyre kanë arritur të çtensionojnë edhe militantët e partive respektove, të cilat kanë qenë mjaft të armiqësuara. Koalicionin PDK-LDK duket se ka dhe bekimin e zyrave të huaja, pasi prezenca në qeveri e dy partive më të mëdha është e nevojshme për vendimin e statusit. Të hidhëruar nga negociata njëmujore kanë dalë të tri partitë e tjera që kanë afërsisht nga 10% të elektoratit. AKR-ja e Behxhet Pacollit, LDD e Nexhat Dacit dhe AAK e Ramush Haradinajt mbeten jashtë loje. Megjithëse Thaçi kishte dëshirë të bënte edhe partinë e Pacollit pjesë të kabinetit të tij, LDK nuk ka pranuar të hyjë në qeveri me të. Gjatë fushatës, këto dy parti patën përplasje të forta verbale. Pacolli ka shprehur interes shumë të madh gjatë gjithë kohës për të hyrë në qeveri dhe janë zhvilluar negociata të përditshme. Edhe AAK ka kërkuar të mbetet në qeveri pavarësisht armiqësimit mes Thaçit e Haradinajt. Ndërsa Nexhat Daci nuk ka ngurruar që menjëherë pas zgjedhjeve të bëjë publike ambiciet e tij për President. Por akuzat e ngritura nga prokuroria për keqpërdorim të mjeteve financiare në kohën që ishte në krye të Kuvendit duket se ia pamundësuan edhe ëndrrën për t‘u futur në qeveri. Edhe Veton Surroi ka shprehur gatishmëri për t‘iu bashkangjitur Thaçit, por pas dorëheqjes së tij kjo duket edhe më e vështirë. Sipas burimeve nga PDK, një nga pikat e marrëveshjet mes Thaçit dhe Sejdiut është se në kabinetin e tij nuk do të ketë asnjë emër të ministrave aktualë. Por si duket edhe LDK nuk është e interesuar të fusë në kabinet ato emra. Numri i dy i PDK-së që mban dhe vendin e dytë si deputet për nga numri i votave që ka marrë me 17 nëntor, Fatmir Limaj ende ka të hapur ofertën për të drejtuar Kuvendin e Kosovës, post të cilin nëse e refuzon pritet ta marrë Jakup Krasniqi, po kështu Limajt i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe i një ministrie që ai dëshiron të zgjedhë.